Nga Indrit Vokshi
Unë jam datëlindja 1989!
Kam lindur kur Sali Berisha ishte sekretar apo anëtar i Partisë së Enverit.
Prindërit tanë si brez e ndoqën ketë, sepse ju duk “Enveri i tyre”. Por nuk mund të jetë edhe “Enver” i brezit tonë, sepse ne sduhet të kemi Enver. Idhujtaria dënohet. Ai brez kishin trauma totalitarizmi. I kanë ende. Njëra prej traumave është hipokrizia. Tjetër thonë, tjetër mendojnë. Këta e dinë mirë se nuk i kanë aq anëtarë, këta e dinë mirë se ky i ka përjashtuar të tjerët padrejtësisht, pa ligje, pa statute, këta e dinë mirë se ajo duartrokitje e hare për “rizgjedhjen” është një teatër kot, por vazhdojnë e luajnë teatrin. Siç shkruan Sholzenicini, disa njerëz në një sallë në Rusi duartrokitën aq gjatë për Stalinin saqë disave iu ra të fikët, ngaqë askush nuk kishte guxim ta ndërpriste duartrokitjen i pari. Kjo është psikoza dmth. Këtu, në ketë rast, sëmundja është nënshtrimi dhe hipokrizia. E dinë mirë të vërtetën, mirëpo luajnë një teatër krejt tjetër, duke shpresuar se njerëzit do tua mirëkuptojnë hallin e do tua besojnë teatrin.
Edi Rama i ka shenjat se kërkon autoritarizëm. Kërkon ta shkatërrojë ekonominë, tregun, meritën, dhe kërkon që në vend të këtyre ta përcaktojë ai se kush jeton e kush vdes, kush pasurohet e kush falimenton. Në ketë situatë, në vend që të kontribuohet për zgjerimin e përfaqësimin opozitar, thellohet një problem në krahun opozitar. Dhe e justitikojnë mbi traumë; vetëm ai mban të bashkuar opozitën. Gjë që nuk është e vërtetë; në Shqipëri janë potencialisht 1 milion opozitarë. Sali Berisha unifikon disa mijëra demokratë, kryesisht ata më të traumatizuarit nga frika se mbeten pa baba, mirëpo kaq. Kjo “rizgjedhja” e tij, zgjidh frikën e disa mijëra militantëve, por nuk e zgjidh problemin e opozitarizmit në Shqipëri.
Zgjedhja e tij si proces është punë e tyre, atë duan, atë le të mbajnë. Por përpjekja për të na e paraqitur si demokraci, për të na e imponuar si të drejtë, për të na e shpjeguar si të domosdoshme, për të na e përligjur si të duhurën, është përpjekje e poshtër, ka vlerë vetëm për pak ndjekës të këtij por nuk ka asnjë vlerë për opozitarizmin shqiptar e për shqiptarët.
Si interes ne të tjerëve na intereson të zgjidhet ky. Veç po thoja si qëndron e vërteta.



