Pse Ramës i duhej kufoma e Fatos Nanos?

spot_img
Advertisements

nga Reldar Dedaj

Edi Rama sot më shumë se kurrë kishte nevojë për trupin e vdekur të Fatos Nanos, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i shërbente si garanci simbolike e pushtetit dhe mjet për manipulimin e qytetarëve. Ai e di se të vdekurit nuk flasin, por historinë e tyre mund ta interpretojnë të gjallët sipas interesit të vet, duke krijuar legjitimitet për luftërat e tyre personale. Trupi i të vdekurit nuk është thjesht një kufomë fizike, por një instrument për kontrollin e së tashmes. Metafora e trupit të vdekur nuk është vetëm një histori personale, por edhe një mekanizëm politik i vazhdueshëm: tregon se e kaluara nuk largohet thjesht, por mund të përdoret nga të gjallët për të ushtruar pushtet mbi të ardhmen. Edi Rama kishte nevojë për trupin e vdekur të paraardhësit të tij; qoftë për ta nderuar, qoftë për ta instrumentalizuar.

Fjalimi i Ramës në lamtumirën për Fatos Nanon nuk ishte vetëm një akt personal apo sentimental, por një akt politik i sofistikuar dhe një përpjekje për të legjitimuar qeverisjen e tij të gjatë, duke krijuar narrativën e shfajësimit nga përgjegjësitë për dështimet dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Krahas trupit të pajetë të Nanos, Rama në fjalimin e tij paraqet Sali Berishën si një nga përgjegjësit kryesorë të pengimit dhe vuajtjes së Nanos: si njeriun që e burgosi, e sulmoi, e rrethoi dhe e marginalizoi, duke krijuar kontrastin mes të dobëtit dhe të keqit dhe duke legjitimuar kështu pushtetin e vet.

Në këtë kuptim, fjala e Ramës funksionon si akt politik i përdorimit të trupit të vdekur. Nano nuk mund të veprojë më, por figura e tij përdoret për të treguar se kush pengoi, kush sulmoi dhe kush krijoi vuajtje. Rama krijon një narrativë të fuqishme, ku ai vetë del shtetar dhe legjitimues, ndërsa Berisha shfaqet si pengesë historike dhe morale. Me anë të fjalës, Rama sa e përdor aq dhe e shndërron Nanon në simbol të së kaluarës; trupin e pajetë të të cilit vazhdon ta përdorë për të kontrolluar perceptimin publik. Trupi i vdekur i Nanos i shërbente Ramës për të legjitimuar pushtetin dhe për të manipuluar kujtesën kolektive. Kufomat nuk kanë fuqi vepruese, por fuqia e tyre qëndron në interpretimin që u bëjnë të gjallët.

Fjala e Ramës për Nanon dhe sulmi ndaj Berishës nuk ishte thjesht retrospektiv; ai përdor të kaluarën për të justifikuar të tashmen dhe për të ushtruar pushtet mbi institucionet dhe kujtesën kolektive. Nano është trupi i vdekur që tregon se gjithçka e kaluar mund të interpretohet sipas interesit të të gjallëve. Berisha shfaqet si pengesa e dëshmuar, fajtor për dështimet, duke fuqizuar narrativën e Ramës si legjitimues i historisë dhe garantues i vazhdimësisë.

Megjithatë, sfondi real i kësaj përdorjeje është niveli i lartë i korrupsionit që karakterizon qeverisjen e Ramës. Me ministrat e tij të shumtë të thirrur në SPAK, me aferat e shumta të pasurive publike dhe tenderave, ai ka krijuar një strukturë pushteti të kapur totalisht, ku institucionet ekzistojnë më shumë për të shërbyer interesit të lidershipit sesa qytetarëve. Instrumentalizimi i trupit të Nanos shërben për të zhvendosur vëmendjen nga këto dështime konkrete, duke e çuar debatin tek e shkuara dhe duke e kthyer historinë në mjet për manipulim politik.

Trupi i pajetë i Nanos shndërrohet kështu në një mjet për të ndezur pasionet e socialistëve, për t’i mbajtur ata të mobilizuar dhe për të ruajtur kontrollin mbi bazën elektorale. Çdo referencë nostalgjike ose moralizuese që Rama bën ndaj Nanos ka dy qëllime: së pari, të rikrijojë imazhin e një lidershipi të integruar me historinë e partisë; dhe së dyti, të maskojë realitetin e kapjes së shtetit, përmes një spektakli që i lë qytetarët të përqendrohen tek kujtesa dhe emocionet, jo tek mungesa e transparencës dhe dështimet ekonomike.

Në këtë mënyrë, vdekja e Nanos shndërrohet në një instrument politik të fuqishëm, ku historia përdoret për të legjitimuar pushtetin e Ramës, për të relativizuar përgjegjësitë dhe për të manipuluar perceptimin publik. Ai tregon se në politikë, madje edhe trupi i vdekur mund të bëhet armë: jo për të vepruar, por për të kontrolluar të gjallët dhe për të përcaktuar narrativën që do të mbajë pushtetin mbi të ardhmen.

Latest articles

Related articles