nga Albana Beqiri
Na paska marrë malli për “kohët e arta”, mesaduket.
Për ato kohë, kur shteti pothuaj u shpërbë prej luftës civile që mori mijëra jetë shqiptarësh, të fajshëm e të pafajshëm.
Kur njerëzit e pambrojtur e të frikësuar u nisën me anije, pa ditur nëse do mbërrinin dot përtejdetit.
Kur Otranto u mbush me kufoma dhe heshtja ishte përgjigja e vetme për absurditetin monstruoz të 9 janarit!
Kur banditët u bënë pjesë e pushtetit dhe kjo, jo se e zaptuan me forcë, por sepse u ftuan të ishin bashkëpërfitues dhe mbrojtës të tij.
Kur pushteti vinte erë alkool, çakërrima sysh dhe filozofi sarhoshësh, të trimëruar nga kriminelët që e mbronin.
Kur korrupsioni nuk ishte më as skandal e as krim i dënueshëm, por përditshmëri shqiptare dhe “liberalizmi” ishte thjesht mënyra elegante për të thënë: secili vjedh sa mundet, pa na e prishur qejfin.
Çudi sesi kujtesa jonë kolektive ngjan me verën e lirë: tretet shpejt dhe të deh pa u ndjerë.
Vetëm se dikush zhduket nga skena politike e publike, papritur konstatojmë se paska qenë burrështetas i madh. Si ay mo! Me “dije të thella” që nuk u panë kurrë as në libra, as në fjalime, as në jetën publike, veç në jetën prej hedonisti ku “teoria” bashkëjetonte mrekullisht me gotën.
Po shoh disa që me bindje të plotë e nderim të thellë na flasin për “vizionarin” e madh.
S’di ku i shohin provat e këtij vizioni ata. Në Otranto? Në parlament? Apo në tavolinat e kazinove, ku shteti trajtohej si kartë bixhozi?
Historia mund të rishkruhet, retushohet, zbukurohet, por Otranto do të jetë gjithmonë këtu, mes nesh.
Edhe sarhoshët që u katapultuan në karrige ministrore.
Edhe dëmet që i janë bërë vendit.
Edhe kujtesa që vërtet nuk është obligim ligjor, por të sanksionon më shumë se ligji. Edhe kur mëton qëllimisht të harrosh. Sepse, siç kanë thënë njerëz më të mençur se ne: historia që harrohet, është e destinuar të përsëritet!
P. S
Për të gjithë ata që mendojnë se ky status është për Fatos Nanon, nuk gabojnë hiç. Vërtet është për të! Edhe për vajtimtarët e gërrditshëm!


