Kur Komisioneri i BE-së për Shëndetësinë, Oliver Varhelyi, njoftoi javën e kaluar në një konferencë në Austri se do rriste taksën mbi cigaret elektronike për t’u përputhur me atë të duhanit, kolegu i tij, Komisioneri për Taksat, ëopke Hoekstra, i tha POLITICO-s në Bruksel se industria po “manipulon” fëmijët drejt varësisë duke i bërë ata të lidhen me cigaret elektronike.
“Unë këtë e quaj hakmarrja e industrisë së duhanit,” tha ai në një intervistë në zyrën e tij në Bruksel. “Kjo strategji e qëllimshme ndaj fëmijëve, ndonjëherë 11, 12, 13 vjeç, me shije tërheqëse që ata i ngatërrojnë me karamelet. E kam parë këtë në tryezën time të kuzhinës,” tha ai, duke shtuar se fëmijët e tij kishin pyetur nëse cigaret elektronike janë aq të këqija, pasi ato “kanë shije luleshtrydheje”.
“Në të vërtetë, janë vrasëse,” tha ai.
Industria e cigareve elektronike e ka mohuar këtë pretendim, duke thënë se asnjë vdekje nuk është shkaktuar drejtpërdrejt nga produktet.
Në korrik, Hoekstra zbuloi planin e tij për të rritur akcizën me 139 për qind për cigaret dhe me 258 për qind për duhanin me dredhje si dhe për të përfshirë produkte të reja si cigaret elektronike.
Plani shkaktoi një reagim të furishëm nga industria e duhanit, e cila shtoi lobimin e saj; në shtator, Philip Morris International prezantoi një raport në një konferencë shtypi në Muzeun Autoworld të Brukselit, duke paralajmëruar se rritja e taksës do kërcënonte mijëra vendet e punës që kjo industri krijon në Europë.
Por Hoekstra e quajti këtë një argument “të rremë”.
“Nuk është se ato vende pune do zhdukeshin,” tha ai.
“Le të bëjmë llogaritë ekonomike. Po flasim për një kosto shëndetësore që është në miliarda euro.”
Megjithatë, jo të gjithë mbajnë një qëndrim kaq të ashpër ndaj cigareve elektronike, shkruan Politico.
Disa qeveri besojnë se ato janë një mënyrë legjitime për t’i larguar duhanpirësit nga cigaret më të dëmshme. Qëndrimi i Organizata Botërore e Shëndetësisë është që vendet duhet të sigurojnë “rregullore të forta” për të zvogëluar tërheqjen e tyre nëpërmjet ndalimit të shijeve, kufizimeve në përqendrimin dhe cilësinë e nikotinës dhe taksave.
Megjithatë, lobingu për “reduktimin e dëmit” ka mbështetës të fortë në Bruksel. Vitin e kaluar, Parlamenti Europian e hodhi poshtë rekomandimin e Komisionit për të vendosur rregulla më të rrepta se ku mund të përdoren cigaret elektronike, me shumë ligjvënës nga grupet e qendrës së djathtë që i mbështetën ato si alternativa ndaj duhanpirjes.
“Një duhanpirës i rëndë që kalon nga cigaret tradicionale në cigare elektronike po bën diçka të mirë për shëndetin e tij,” tha në atë kohë Peter Liese, një mjek gjerman dhe eurodeputet nga Partia Popullore Europiane.


