Agron Shehaj bëri me dije mbrëmjen e sotme se do të mbështesë kandidatin Florian Binaj për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës, një ditë pasi deklaroi se nuk do ta mbështeste atë. Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Shehaj deklaroi se PD “i ka prerë në besë” pasi, gjatë diskutimeve në tryezë, Partia Mundësia kishte propozuar Ermal Hasimjen si kandidat, ndërsa PD vendosi të mbështeste Florian Binajn.
Ndërkohë Ermal Hasimja, kandidati që Shehaj preferonte, ka njoftuar tërheqjen e tij nga gara, duke deklaruar publikisht mbështetjen për Florian Binajn.
“Sot është e qartë që nuk ka ndonjë kuptim gara për mua. Tashmë që Florian Binaj ka mbështetjen e partive politike, nuk do të ishte me vend që të vazhdoja kandidimin si i pavarur. Natyrisht do të zgjidhet një kandidat, dhe kandidatët e tjerë nuk kanë më çfarë thonë pastaj. Unë e mbështes Binajn me shumë kënaqësi,” – deklaroi Hasimja.


