nga Artan Fuga
Arti i luftës mes shteteve në epokën numerike. Ka ndryshuar shumë po të krahasohet me Luftën e Trojës. Nuk ka lidhje as me strategjitë luftarake të Sun Tzi. S’ka lidhje as me teknikën dhe strategjinë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë botërore.
Prandaj e kanë gabim ata që flasin për Luftë të Tretë botërore. Dy mbaruan. Pas atyre nuk vazhdon numërimi se nuk kanë lidhje me ato këto tani. Ka nis numërimi nga e para. Luftra të reja këto. Të tretë nuk ka.
I shohim në televizion sikur shohim electronic game, warrior.
Mund t’i bëjnë burrat, por mund t’i bëjmë edhe gratë, se një sustë a buton kanë për të shtypur.
Oficeri ka goditur armikun mijëra kilometra larg, në mëngjes kthehet në shtëpi, ose kur nuk ka turnin bën një lojë ping pongu ose pi birrë te klubi i lagjes.
A zë ndonjë fëmijë tjetër me gruan!
Nuk rrinë ushtarët nëpër transhe, se nuk ka fare nevojë për ushtarë.
Ca armë bëhen për t’u gjuajtur me predha objekteve, por po aq bëhen për t’i gjuajt me predha predhave të kundërshtarit.
Kundërshtarin as nuk e sheh fare, mund ta kesh me dhjetëra mijë km larg.
Nuk ke nevojë fare të bësh aleanca me shtete të tjerë për të shkuar te territori armik. Fluturon lart në qiell.
Armikun qëllon që edhe e njofton: Ore, shiko ik që aty se do të qëlloj nesër.
Nuk zgjasin me vite, ose ta zemë 100 vjet luftëra si anglezët me francezët. Janë luftëra në kohë reale. Dje të shpall luftë, sot bëhet, nesër mbaron lufta.
Ushtarët dhe oficerët qendrojnë me kollare dhe kostum te pulti.
Preteksti i luftës është se me disa armë shkatërrohen disa armë të tjera më të tmerrshme. Hera e parë që lufta bëhet jo kundër territoreve, për t’i marrë pasuritë, por për t’i thënë bëj luftë, por jo me atë armë.
Për herë të parë krenohen se nuk vramë ushtarë. Më parë tregohej suksesi te vrasja e ushtarëve.
Mos rëntë gabim ndonjë predhë se aq duhet për të shuar çerekun e qytetit. Gabim anësor – quhet! Por të qëron pa nam e nishan.
Nga njëra anë bëhet luftë, nga ana tjetër vendet në luftë mund të vazhdojnë turizmin, kampionatet e futbollit, operat, jetën paqësore sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
Më parë një e fitonte luftën, tani modë e re, nuk ka të fituar as të mundur, ndeshja del gjithëmonë remi. Nuk dihet se me çfarë matet fitorja dhe humbja.
Askush nuk i gjuan drejtuesve më të lartë, Putin ta zemë nuk i gjuan Zelenskit, as Zelenski nuk i gjuan Putinit.
Pa pushtime. Cfarë të dua territoret e tua, apo të mbaj popullsinë me bukë?
Luftimet bëhen natën, kur njerëzit flenë, ditën komentojnë analistët në studio.
Po kur ca tipa nisën t’u duket se ishte Shqipëria, ose vetë ata individualisht shkaku dhe në qendër të kësaj përballjeje.
Nisën të llogarisin sa zë rrezja e raketës.
Delir numerik. Me klikime!