Një kompani franceze ka fituar në “tavolinë” ankandin për vendosjen e një radari në Shqipëri. Gjigandët e “Thales” kanë mundur amerikanët e “Lockheed Martin”, të cilët 5 vite më parë fituan rreth 20 milionë euro për të vendosur një radar në territorin e Shqipërisë. Duket se, ndryshimet diplomatike dhe vizitat e shpeshta të qeveritarëve francezë në Shqipëri, apo të qeveritarëve shqiptarë në Francë, kanë sjellë këtë ndryshim kursi.
Qeveria shpreson që Franca të japë votën për BE ashtu siç e dha për NATO-n pasi blemë helikopterët Cougar, 80 milion euro.
Në datën 20 qershor 2025, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka qenë në francë, në selinë e kompanisë “Thales”. Ai fillimisht ka takuar homologun e tij francez dhe më pas, përfaqësues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe drejtues të firmës kanë nënshkruar marrëveshjen.
Në datën 20 qershor 2025, kompania franceze “Thales” ka nxjerrë një njoftim, ku shkruan se “mbështet sovranitetin e hapësirës ajrore në Shqipëri me radarin e mbikëqyrjes Ground Master 400 Alpha”.
Sipas saj, kontrata është firmosur në Panairin Ajror të Parisit, mes ministrit të Mbrojtjes së Francës Sebasien Lecornu dhe ministrit shqiptar Pirro vengu.
“Thales fitoi një kontratë për të furnizuar një radar Ground Master 400 Alpha (GM400α), me dorëzim brenda 14 muajsh, si pjesë e një programi modernizimi të mbikëqyrjes ajrore. Thales ka përmbushur kërkesën strategjike për të furnizuar një radar mbikëqyrjeje Ground Master në kohë rekord. Radari luan një rol aktiv në mbikëqyrjen ajrore” shkruan kompanisa.
Më tej sqaron se me arkitekturën e tij të plotë dixhitale, ai gjurmon kërcënimet ajrore në një rreze deri në 515 km, me zbulim superior të objektivave në lartësi të ulët. Deri më sot, më shumë se 270 radarë mbikëqyrjeje ajrore Ground Master janë shitur në të gjithë botën.
“Jemi krenarë që mbështesim Shqipërinë me dorëzimin e shpejtë të Ground Master 400 Alpha, të provuar në luftime”, tha Eric Huber, Zëvendëspresident i Radarëve Sipërfaqësorë të Thales. “Me rritjen e kapacitetit tonë të prodhimit dhe mbështetjen nga ekosistemi ynë partner, ne jemi në gjendje të kemi kohë të shpejta kthimi në lidhje me kërkesat urgjente operacionale. Ground Master 400 Alpha ofron një aftësi të besueshme, me performancë të lartë dhe lëvizshmëri të lartë për të përmbushur nevojat e mbikëqyrjes ajrore dhe sovranitetit të Shqipërisë” vijoi ai.