Si funksionon sistemi i kontrollit për sigurinë ushqimore, nga fidanët e mbjellë, përdorimi i pesticideve, antibiotikëve dhe deri te tregtimi i produkteve ushqimore vendase dhe të importit. Pengesat që hasen te gjurmueshmëria e mallrave të pasigurta që shiten në informalitet.
A.Ç., prej disa ditësh gjendet i shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, për shkak të helmimit nga ushqimi nga bakteri i salmonelës. I moshuari tregon se helmimi iu shkaktua pasi konsumoi mish pule të gatuar në shtëpi, të cilin e kishte blerë në një prej supermarketeve të qytetit ku banon.
Ndër simptomat e para të shfaqura ishin të vjellat dhe gjendje e humbjes së ndjenjave. I moshuari pohon se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar, ndërsa pret t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrje kirurgjikale.
Mjekët infeksionistë të urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pohuan për “Monitor” se rastet e paraqitjes së pacientëve në urgjencë me “gastroenterit bakterial” (helmimi nga ushqimi i shkaktuar nga baktere të llojeve të ndryshme) janë të shpeshta në çdo periudhë të vitit, veçanërisht në stinën e verës, ku tregtimi i produkteve shtazore dhe frutave e perimeve kërkon më tepër vëmendje.
Rastet me helmim ushqimi, sipas tyre, ndikohen nga disa faktorë, veçanërisht higjienës ushqimore.
Mjekët pohojnë se në këtë periudhë nuk ka tendencë rritëse të rasteve të gastroenteritit bakterial nga salmonela. Ndërsa numri i shtrimeve me “gastroenterit bakterial” arrin 2 deri në 3 pacientë për turn. Shtrimet në spitale, sipas mjekëve, janë më të domosdoshme për rastet kur pacienti ka edhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Ndër simptomat kryesore që gastroenteriti bakterial shfaq te të rriturit janë diarre, dhimbje dhe krampe abdominale, ethe dhe temperaturë mbi 38 gradë Celsius, dhembje koke, të vjella dhe ndjesi të vjelle.
Në vend ka dy laboratorë zyrtarë, që kryejnë analiza të produkteve ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV).
Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në analizat e kryera në laboratorët e të dy institucioneve më së shumti konstatohen raste jo-konform për tregues të higjienës ushqimore krahasuar me ato të sigurisë ushqimore.
Problematikat më të shpeshta sipas ekspertëve, hasen te frutat dhe perimet. “Në laboratorët e AKU-së kryhet një numër shumë i vogël analizash, më tepër fiziko-kimike sesa mikrobiologjike. Ndaj dhe e gjithë barra i bie ISUV, i cili është laborator reference.
Nga analizat më së shumti rezultojnë me probleme fruta-perimet”, pohon Granit Sokolaj, drejtues i qendrës “Alert”, e specializuar për informimin dhe ndërgjegjësimin e konsumatorit për çështjet e sigurisë ushqimore.
AKU dhe ISUV analizojnë mostrat që merren gjatë kryerjes së kontrollit zyrtar. Aktualisht ISUV ka mbi 1,900 teste të akredituara sipas Bashkimit Europian. Ndërkohë, jo vetëm laboratorët e ISUV por edhe të AKU kanë marrë pjesë në teste ndërkombëtare aftësie.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në podcast-in “Monitor Business Plus” pohoi se zbatimi i protokolleve për monitorimin dhe kontrollin e zinxhirit të sigurisë ushqimore në vend, të hartuara në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian garantojnë më së miri tregtimin e sigurt të produkteve.
Zonja Denaj theksoi se shtimi i numrit të analizave të akredituara nga ISUV në mbi 1,900 nga 6 që ishin në 2013, është një ndër investimet kryesore në logjistikë pajisjesh dhe burimesh njerëzore për forcimin e kontrollit te siguria ushqimore.
“Nuk mungojnë as ligjet, as rregulloret, as analizat e kredituara, por shpesh mungon ndjekja me përpikëri absolute e protokolleve prej të gjithëve, si nga fermerët, bizneset dhe punonjësit.
Kjo krijon disa kërcitje që rrezikojnë jetën e konsumatorit, si ato që keni dëgjuar kohët e fundit, dhe kanë ndodhur edhe më parë, por institucionet përgjegjëse kanë marrë masa të menjëhershme.
Qoftë stafi i institucioneve përgjegjëse, fermerët apo bizneset që rrezikojnë mosndjekjen e protokolleve, të gjithë së bashku duhet të kuptojnë se shkelja e tyre nuk është tejkalim i momentit i rregullave, por çështje që rrezikojnë sigurinë ushqimore. Protokollet në fuqi sot të kapin, qoftë edhe me një ditë me vonesë dhe të çojnë përpara drejtësisë”.
Si funksionon sistemi i kontrollit të sigurisë ushqimore nga fidanët e mbjellë e deri te tregtimi
Siguria ushqimore në vend, sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, monitorohet dhe kontrollohet nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).
AKVMB është përgjegjëse për prodhimin bujqësor dhe blegtoral në fermë, me kontrolle që nisin nga fidanët e mbjellë e deri te përdorimi i pesticideve dhe antibiotikëve. AKU është përgjegjëse për sigurinë e të gjitha produkteve ushqimore në treg.
“Gjurmimi i produkteve shtazore dhe i frutave dhe perimeve kërkojnë regjistrimin e fermave bujqësore dhe blegtorale, si dhe aktiviteteve që kryhen në këto ferma. Fermat blegtorale si dhe kafshët që mbarështohen në to janë të regjistruara në regjistrin elektronik RUDA, i cili përditësohet vazhdimisht.
Në qershor 2024 ka filluar regjistrimi i operatorëve profesionistë, të cilët kryejnë aktivitete në lidhje me bimët (mbjelljen, prodhimin, vendosjen në treg). Fermerët kanë detyrimin e plotësimit të regjistrit të përdorimit të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) në fermë, kontrolli i mbajtjes së regjistrit të përdorimit të PMB-ve në fermë kryhet nga AKVMB.
Inspektorët e AKVMB-së kryejnë kontrolle në ferma bujqësore për të vërtetuar se produktet e tyre janë të lira nga sëmundjet dhe dëmtuesit, përdorimi i pesticideve dhe pajisin produktin me certifikatë fitosanitare.
Operatorët e biznesit ushqimor në pikat e grumbullimit kanë detyrimin e regjistrimit në Qendrën Kombëtare Biznesit dhe janë subjekt kontrolli nga inspektoret e ushqimit të AKU-së”, sqaroi Ministria e Bujqësisë për Monitor.
Të dyja institucionet kryejnë kontrolle në të gjithë vendin mbi bazën e një plani kombëtar, të ndërtuar mbi rrezikun që paraqesin produktet ushqimore dhe ato me origjinë shtazore.
“Në kuadër të kontrolleve të mbetjeve të pesticideve, kontaminimit mikrobiologjik në fruta-perime, AKU kryen kontrolle bazuar në Planin Kombëtar të kontrolleve zyrtare me bazë risku dhe të marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore, si dhe planin e marrjes së mostrave në PIK.”, i cili miratohet nga Ministri.
Në këtë kuadër, AKU bashkëpunon ngushtësisht me AKVMB-në jo vetëm për të ndjekur gjurmueshmërinë e produkteve, por edhe për të ndërgjegjësuar fermerët për rëndësinë e mbajtjes së të dhënave në fermën e tyre, për plotësimin e regjistrit të përdorimit të PMB-ve në fermë, si dhe ruajtjen e produkteve nga kontaminimi mikrobiologjik.
AKU në vitin 2023 ka hartuar planin kombëtar të kontrolleve zyrtare bazuar në risk, nëpërmjet një metodologjie të re me asistencën e IPA II “Projekti i Sigurisë Ushqimore”, ku vlerësimi i operatorëve të biznesit, bëhet nëpërmjet profilizimit të riskut sipas një sistemi pikëzimi.
Kontrolli i zbatimit të legjislacionit të sigurisë ushqimore bëhet nëpërmjet kontrolleve zyrtare, monitorimit dhe verifikimit për përmbushjen e kërkesave ligjore nga operatorët e biznesit ushqimor, si dhe marrjes dhe analizimit të mostrave bazuar në vlerësimin e riskut dhe frekuencës së përcaktuar.
Protokollet e përdorura gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve nga AKU janë të njëjta me ato të përdorura nga autoritetet e vendeve të BE-së.
Për kryerjen e kontrollit zyrtar dhe funksionimin e sistemit të kontrollit zyrtar, autoritetet kompetente auditohen në mënyrë të rregullt nga shërbimet e Komisionit Europian”, pohon Ministria e Bujqësisë.