Deputetja demokrate, pjesë e Koalicionit Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit, Oriola Pampuri e ftuar në studion e RTSH 24, bëri një përmbledhje të pikave kryesore që përmban programi i tyre në funksion të qytetarëve shqiptarë.
Pampuri u shpreh se arsimi, taksa e sheshtë, shëndetësia, ekonomia dhe drejtësia janë disa prej pikave kyçe të programit të Koalicionit Euroatlantik.
“Ka pasur një interes të jashtëzakonshëm sa i përket pikave të rëndësishme të programit. Jemi përballë një situate ku po mbyllen qindra biznese të mesme e të vogla. Shumë shqiptarë kanë lënë vendin përgjatë këtyre vendeve për shkak të papunësisë, meritokracisë.
Ligji i Arsimit të Lartë ka lënë shumë për të dëshiruar dhe ka pasur debate të mëdha. Mungesa e financimeve, e kërkimit shkencor, mungesa e një buxheti të posaçëm për universitetet.
Taksa e sheshtë 9%, taksa e fitimit 9%, taksa mbi fitimin e biznesit 9%, taksë që sot është shumë e lartë dhe detyron bizneset të mbyllen. 30 mijë çifte të reja të cilat do kenë mundësinë të marrin kredi që do i ndihmonte te kishin një banesë ku të jetonin. Bonusi për 20 mijë euro për fëmijën e tretë.
Kur themi ushqimi, studimi në shkolla. Por sa punësim nxit kjo? Nxit punësimin e nënave, nëse shkolla ofron ushqim e studim deri në 16:00 pasdite, me një përllogaritje prej 7500 personash do punësohen më shumë”, deklaroi Pampuri.
Kjo e fundit theksoi se ndryshimi mes koalicionit në të cilën ajo bën pjesë dhe forcave të tjera politike, qëndron pikërisht të programi, për të cilin u shpreh se do të jetë 100% i implementueshëm që në ditën e parë të qeverisjes nëse fitohen zgjedhjet e 11 majit.
Pampuri nënvizoi ndërkaq se pikë thelbësore e programit elektoral të Koalicionit Euroatlantik është fundi i pandëshkueshmërisë dhe mbështetja pa kushte ndaj SPAK.
“Ajo që bën ndryshimin mes një pjese që thotë se qasja e programit është e njëjtë, ky program është studiuar nga ekspertë të fushave përkatëse dhe është përllogaritur çdo qindarkë që të mos jetë thjesht premtim elektoral, por 100% i implementueshëm që ditën e parë të qeverisjes.
Ajo që ndryshon mes programeve të forcave të tjera, është pikërisht raporti me drejtësinë e re, fundi i pandëshkueshmërisë është pika thelbësore e programit tonë. Mbështetje e jashtëzakonshme për drejtësinë e re, mbështetje për SPAK. Me vepra e kemi treguar.
Kemi 34 vite në tranzicion. SPAK ka bërë atë që çdo shqiptarë nuk do e kishte imagjinuar, Janë prekur të paprekshmit dhe shqiptarët e shohin si institucionin më shpresëdhënës.
Problematikat sfumohen para asaj që ka bërë SPAK. Një shtet ka shpresë kur ndërtohet mbi të drejtën e pacenueshme. Fundi i pandëshkueshmërisë do ketë një fillim të ri për shqiptarët”, theksoi Pampuri



