Aleanca mes Dritan Rexhepit, themeluesi i “Kompania Bello” dhe mafies italiane ka mbajtur për rreth 15 vjet në këmbë një strukturë të fuqishme për trafikun e kokainës nga Ekuadori në vendet europiane.
Por edhe pas arrestimit në Turqi të 45-vjeçarit me origjinë nga Vlora, i cili thyente burgjet dhe më pas i ekstraduar në Shqipëri, pasardhësi i tij ishte një tjetër shqiptar: Dritan Gjika.
Sipas raporteve të inteligjencës së Ekuadorit, që citohet nga mediat ekuadoriane, ai dhe Rexhepi banonin në të njëjtën zonë ekskluzive në Samborondón, një nga lagjet më të pasura të qytetit-port, Guayaquil.
Pasardhësi Dritan Gjika

I shpallur në kërkim ndërkombëtar në Ekuador dhe nga Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, Dritan Gjika ndërtoi një rrjet të fuqishëm ekonomik dhe politik, duke krijuar një strukturë të fortë për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Dritan Gjika, pasardhësi i Dritan Rexhepit në trafikun ndërkombëtar të drogës
Sipas mediave në Venezuelë, Gjika zotëronte restorante dhe biznese të shumta në Guayaquil, të cilat i përdorte edhe për kontrabandën e drogës.
Ai përdorte një grup prej dhjetë kompanish – gjashtë në Ekuador dhe katër në Spanjë, përfshirë fabrika të kanabisit dhe plantacione bananesh.
Në vitin 2023, emri i tij doli në dritë për shkak të lidhjeve të tij me Ruben Cherrez (i vrarë në nëntor të atij viti) dhe Danilo Carrera, kunati i ish-presidentit ekuadorian, Guillermo Lasso. Carrera u dënua për krim të organizuar si pjesë e një rrjeti kontratash të paligjshme në sektorin energjetik.
Krahu i djathtë, Remzi Azemi

Duke e kuptuar se ishte ekspozuar, Gjika u arratis nga Ekuadori. Në njëjtën kohë, në Kolumbi ndodhej edhe një tjetër figurë kyçe e “Kompania Bello”, kosovari Remzi Azemi, i cili ishte arrestuar me Rexhepin në Ekuador, në 2014, por u lirua tre muaj më vonë.
Remzi Azemi dhe automjeti i tij i blinduar, ku i shpëtoi një atentati në Ekuador
Ai mori përsipër koordinimin e dërgesave të kokainës nga Guayaquil dhe u bë krahu i djathtë i Rexhepit, ndonëse u arrestua në Maqedoninë e Veriut në dhjetor të vitit 2023.
Azemi gjithashtu urdhëroi ekzekutimin e shqiptarëve të tjerë që përpiqeshin të krijonin grupe të pavarura për eksportimin e kokainës nga Guayaquil, pa miratimin e “Kompania Bello”, përfshirë Ilir Hidrin.
Sipas inteligjencës evropiane, Azemi përdorte përkohësisht një automjet të blinduar me targë GSU-2041, i regjistruar në emër të Katrin Paola Ospino Fernández, partnerja e Rexhepit.
Ospino Fernández ishte aksionere dhe presidente e kompanisë Worldclass Ekuador, e cila merrej me turizëm, deri në korrik 2021, kur Rexhepi tashmë ishte arratisur në Kolumbi.
“Arratisja ligjore” e Dritan Rexhepit

Në vitin 2014, në një operacion të gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, në pranga bie edhe Dritan Rexhepi në Ekuador. Pas një viti të mbajtur në Guayaquil, shqiptari u transferua në burgun Cotopaxi.
Dritan Rexhepi gjatë një seance gjyqësore, ndërsa procesi ndaj tij për trafik droge po zhvillohej në Guayaquil
Deri atëherë, sistemi i burgjeve ishte i kontrolluar kryesisht nga bandat në varësi të më të fuqishmit, grupit famëkeq, Los Choneros.
Ky ishte konteksti ideal që Rexhepi të vazhdonte të nxiste biznesin e tij nga qelia, me të gjitha lehtësitë.
Në Cotopaxi, ai u bë mik me Jorge Zambrano JR, Rasquiña, Fito dhe Junior, drejtues të Los Choneros, të cilët punonin për kartelin meksikan, Sinaloa.
Ky ishte fillimi i partneriteteve strategjike midis “Compañía Bello”, të udhëhequr nga Rexhepi dhe bandave lokale.
Objektivi i tyre ishte i thjeshtë: të shisnin sa më shumë kokainë me fitime të bollshme për të gjithë partnerët në marrëveshje, me një perspektivë të qartë transnacionale, diçka e paparë më parë.
Por pas pak vitesh, Rexhepi arrin të dalë nga burgu, duke përfituar një “arrest shtëpie” me procedura të dyshuara ligjore, që më pas kthehet në “detyrim paraqitje”.
Ai arratiset nga Ekuadori dhe shkon në Kolumbi, ku hap disa kompani guaskë për të fshehur aktivitetin e tij të trafikut të drogës.
Dritan Rexhepi, themeluesi i “Kompania Bello” para ekstradimit të tij nga Turqia në Shqipëri
Vizioni i Dritan Rexhepit
Ndërsa përpiqej të forconte rrjetet dhe strukturat mbështetëse në Turqi, Rexhepi u arrestua në Stamboll në nëntor 2023. Dy vjet më parë, konfiskimet e kokainës të trafikuar nga Ekuadori në atë vend ishin rritur me 40%, sipas raporteve evropiane kundër drogës.
Një vizionar për zgjerim kriminal në shkallë të gjerë, Rexhepi ishte vendosur në Turqi, me pasaportë kolumbiane, me identitetin e Benjamín Omar Pérez García.
Ai planifikoi ta kthente atë vend në një korridor vendimtar për transportin e drogës në drejtim të lindjes, drejt Rusisë dhe Kinës.
Plani i tij ambicioz dështoi kur u arrestua me kërkesa për ekstradim nga Italia dhe Shqipëria. Ai u ekstradua në Tiranë në janar të këtij viti, ku po vuan dënimet për krime të ndryshme, përfshirë dhe akuzën për porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.