Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ndodhet prej disa ditësh në një vizitë pune në Uashington.
Gjatë javës janë publikuar foto dhe lajme të ndryshme mbi udhëtimin e tij matanë Atlantikut. Vetë Basha ka publikuar një video-mesazh nga Uashingtoni në të cilin solli edhe njëherë në vëmendje premtimin programor të forcës së tij politike për lëvizje të lirë të shqiptarëve në SHBA, pra heqjen e vizave, duke shtuar gjithashtu angazhimin për tërheqjen e investimeve amerikane, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës me paga dinjitoze në Shqipëri.
Por nga fotot është arritur të hidhet dritë mbi një pjesë të axhendës së tij në kryeqytetin amerikan. Lulzim Basha është fotografuar duke dalë nga Departamenti i Shtetit, një nga qendrat më të rëndësishme të pushtetit në SHBA. Ende nuk ka detaje për takimet dhe bisedimet që kreu i demokratëve euroatlantikë ka zhvilluar në Uashington, për këtë do të mbetet të presim kthimin e tij në Shqipëri dhe të ndjekim zhvillimet politike, që siç duket po bëhen përditë e më intensive, teksa afrohemi me zgjedhjet e 11 majit.
