GJKKO ka vendosur masën e arrestit në burg për Sh.C., oficerin e policisë gjyqësore në Komisariatin e Dibrës. Ai dyshohet se ka marrë një ryshfet prej 3000 euro për të favorizuar një të pandehur në një çështje penale.
Gjithashtu është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje” edhe për A.P., oficerin tjetër të policisë gjyqësore, i cili akuzohet për mosveprime që kanë penguar zbulimin dhe ndjekjen e veprimeve korruptive.
Ndërsa për qytetarin F.K., që akuzohet për korrupsion aktiv në lidhje me këto veprime, nuk është ekzekutuar ende masa e detyrimit për t’u paraqitur.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin nr. 178 të vitit 2022 për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, “Shpërdorim detyre” parashikuar nga nenet 244, 259, 319 dhe 319/ç, të Kodit Penal.
Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera deri tani rezulton se:
a. Shtetasi nën hetim Sh.C., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Dibër i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit nën hetim F.K., shumën prej 3000 mijë euro për të favorizuar pozitën procedurale të shtetasit A.Sh. në çështjen penale kundër tij, [konkretisht procedimi penal nr. 9/2020 i Prokurorisë Dibër].
b. Shtetasi nën hetim A.P., në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, i ngarkuar me hetimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasit A.Sh., me veprimet dhe mosveprimet e tij nuk ka pëmbushur në mënyrë të rregullt detyrën ligjore (psh; duke qenë në dijeni të komunikimeve me përmbajtje korruptive, ai nuk ka kryer në kohën e duhur ndonjë veprim për referimin e tyre në prokurorinë përkatëse, por ka vepruar pothuaj dy vite më vonë, vetëm kur viktima e veprës penale e shprehu këtë fakt në Gjykatë, pasi është njohur me aktet, nuk i ka referuar komunikime me interes dhe nuk është kryer identifikimi i personave të dyshuar për kryerjen e akteve korruptive edhe pse komunikimet e bëni të qartë këtë fakt)
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 156 datë 27.12.2024, ka vendosur:
- Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “arrest me burg” ndaj shtetasit nën hetim Sh.C., i biri i Miftarit dhe i Zyrakes, i datëlindjes 28.03.1960, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
- Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim A.P., i biri i Kadriut dhe i Vjollcës, i datëlindjes 11.05.1980, lindur dhe banues në Dibër, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit nën hetim F.K., i biri i Qazimit dhe i Sadetes, i datëlindjes 21.02.1962, lindur në Dibër, fshati Staravec dhe banues në Tiranë në adresën: Rruga “Selaudin Zorba”, banesë private, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë ”, parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal. (kjo masë ende nuk është ekzekutuar).
Masat e tjera janë ekzekutuar më 28.12.2024, nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilën, gjejmë rastin ta falenderojmë për bashkëpunimin.