Rasti i Parashqevisë tregon mendësinë e dukjes së shqiptarëve: “lyehu me buzëkuq Dior”

spot_img
Advertisements

nga Anta Muçaku

Këta që thonë: “Lëreni Parashqevinë rehat, ka zgjedhur të jetojë ashtu, një ikone nuk duhet t’i prishet imazhi, duhet ta mbajmë mend siç ishte,” tregojnë shumë për atë që përfaqëson shoqëria jonë.
Jemi të fiksuar pas fasadës, të kompleksuar dhe gjithmonë duke menduar për sytë e tjetrit, për atë se si dukemi dhe çfarë do mendojnë të tjerët.

Në sytë e botës, duhet të dukemi gjithmonë perfektë, pavarësisht se si ndihemi në të vërtetë. Ky mentalitet i mykyr u pa dhe te gruaja në videon e pacensuruar që i jepte Parashqevisë buzëkuqin “Dior”.
Parashqevia e madhe, e ëmbël dhe e thjeshtë gjer në madhështi nuk donte, por gruaja insistonte: “Lyehu, se është Dior!”
Sepse ajo donte ta “zbukuronte,” t’i vendoste makiazhin “firmato” që shumë prej nesh mbajnë çdo ditë, duke fshehur dhimbjet, problemet e plagët që nuk guxojnë t’i tregojnë. Nuk e kuptonte “gruaja e Diorit” që për Parashqevinë dhe për shumë si ajo, dhimbja, vuajtjet janë përtej një makijazhi që mbulon “turpin” në sytë e botës.

Shoqëria jonë ende refuzon të përballet me të vërtetën. Familjet fshehin dhembjen duke mos kërkuar ndihmë për fëmijët apo të afërmit që kanë nevojë, sepse “çfarë do të thotë bota?!”
Ky mentalitet na ka kalbur si shoqëri, na ka bërë të mbyllur, të kompleksuar. Është pikërisht kjo arsyeja pse shumë largohen, jo nga vendi, por nga njerëzit e këtij vendi.

E për ata që thonë: “Ja shikoni ç’i ndodhi Parashqevisë në Amerikë! Ç’deshi atje, kur ishte mirë këtu?” Duhet të kuptoni: gjëmën nuk ia bëri Amerika, ia bënë dramat e jetës. Dhe dramat janë universale. Shikoni përreth, kudo ka njerëz që luftojnë me probleme të shëndetit mendor, por që nuk guxojnë t’i shprehin. Në vend që t’i ndihmojmë, ne zgjedhim t’u japim një buzëkuq Dior dhe të mbyllim sytë…

spot_img

Latest articles

Related articles