Prof. Jupi: SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë kanë përballë korrupsionin e kthyer në sistem, me një kastë politikanësh

spot_img
Advertisements

nga Prof. Taulanda Jupi

Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Korrupsionit!

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është një sfidë e ndërlikuar që kërkon vullnet politik, përfshirje qytetare dhe mbështetje ndërkombëtare.

Pavarësisht presioneve politike dhe kufizimeve financiare SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë po dëshmojnë se kanë potencialin të funksionojnë pavarësisht presioneve politike. Për herë të parë në 34 vite po shohim ngritjen e akuzave kundër politikanëve të lartë nga të gjithë krahët e politikës, një sinjal i qartë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. SPAK dhe institucione të tjera të drejtësisë së re, janë të vetmit institucione gëzojnë sot besimin e qytetarëve shqiptarë.

Skandale si aferat e inceneratorëve, skandali i kompanisë “5D”, shpërdorimi masiv i fondeve publike në shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe ekonomi, korrupsioni zgjedhor dhe bërja e shtetit njësh me krimin, dëshmojnë qartë se korrupsioni është institucionalizuar në arkitekturën e një piramide, në krye të së cilës qëndron Edi Rama.

Por, për fat të keq, SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë kanë përballë korrupsionin e kthyer në një sistem dhe pas shpine përpjekjet e një kaste politike të korruptuar, që kërkon të gjejë mekanizma kontrolli mbi institucionet e drejtësisë.

Ndërkohë që SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë po shënojnë rezultate dhe përparim domethënëse në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë ndalime dhe hetime që janë afruar gjithnjë e më shumë zyrës së kryeministrit, për fat të keq, gjatë vitit 2024 janë intensifikuar përpjekjet për t’i penguar dhe deformuar punën e këtyre institucioneve.

Vendimi për të miratuar amnistinë penale, ku Edi Rama dhe një pjesë e opozitës e drejtuar nga Sali Berisha bashkuan votat, si dhe ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar “anti-korrupsion”, i njohur si komisioni “Xhafaj”, përbëjnë një goditje serioze në luftën kundër korrupsionit.
Ato jo vetëm që pengojnë punën e SPAK dhe të institucioneve të drejtësisë, por synojnë të vendosin nën kontroll dhe të minojnë përpjekjet e tyre, duke cënuar rëndë pavarësinë e tyre.

Institucionet e drejtësisë kërkojnë mbështetje të palëkundur nga qytetarët, politika dhe partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar që askush, sado i fuqishëm apo i veshur me pushtet politik dhe ekonomik, të mos jetë mbi ligjin.

Përpjekjet për të deformuar reformën në drejtësi duhet të ndalen menjëherë, pasi ato përbëjnë një kërcënim serioz për të ardhmen e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Reforma në drejtësi është një nga arritjet më të rëndësishme të vendit dhe një themel i domosdoshëm për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe shtetit të së drejtës.

spot_img

Latest articles

Related articles