JUPI: Pas 12 vitesh dështim, qytetarët nuk kërkojnë më premtime – ata kërkojnë ndryshim dhe drejtësi

spot_img
Advertisements

nga Prof. Taulanda Jupi

12 vite në pushtet, kjo qeveri ka dështuar të përmbushë një nga detyrat më themelore të saj: të garantojë rendin dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. Ngjarjet e dhunshme që po tronditin çdo ditë vendin, i shtohet si vrasja e rëndë këtë pasdite në Ndroq, Tiranë, janë pasqyrë e qartë e një qeverie që ka braktisur përgjegjësitë e veta. Shqiptarët jetojnë në frikë, të pasigurt për jetën dhe të zhgënjyer nga një qeveri që e ka kthyer prioritetin vetëm ruajtjen e pushtetit të saj me çdo kusht, e çdo çmim.

Kjo nuk është më një çështje e paaftësisë, kjo është një tregues i qartë i një vullneti të shtrembër politik që ka ndërtuar një sistem të i cili toleron krimin e organizuar, nxit korrupsionin dhe ka dështuar ndërtojë institucione të qëndrueshme në shërbim të rendit dhe sigurisë. Në vend që të ndërmarrë reforma të thella për të luftuar krimin dhe për të siguruar rendin, kjo qeveri angazhohet në propagandë dhe taktika për të shmangur përgjegjësinë. Ndryshimet e vazhdueshme të drejtuesve të Ministrisë së Rendit janë prova e një qasjeje të dëshpëruar dhe të paefektshme.

Si është e mundur që pas 12 vitesh qeverisje, qytetarët të ndihen më të pasigurt se kurrë? Si mund të pranojmë që dhuna dhe krimi të bëhen realiteti ynë i përditshëm? Qeveria jo vetëm që ka dështuar të mbrojë qytetarët, por ka humbur çdo legjitimitet për të pretenduar se është në shërbim të tyre.

Si çdo qytetar, si çdo nënë në këtë vend refuzoj të pranoj këtë situatë. Ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë në frikë, të ndiejmë pasiguri për fëmijët tanë dhe të shohim vendin tonë të bjerë në dorë të krimit dhe korrupsionit. Është koha për një reagim të fortë dhe të qartë. Kjo qeveri duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e saj, nëse nuk është në gjendje të garantojë rendin dhe sigurinë publike pas më shumë se një dekade në pushtet, atëherë është koha që të largohet.

Shqipëria meriton një qeveri që vendos jetën dhe sigurinë e qytetarëve të saj mbi interesat politike. Pas 12 vitesh dështim, qytetarët nuk kërkojnë më premtime – ata kërkojnë përgjegjësi, ndryshim dhe drejtësi.

spot_img

Latest articles

Related articles