Prof. Taulanda Jupi përmes një komunikimi publik ka uruar ditën e Flamurit për të gjithë shqiparët duke përkujtuar sakrificat e mijëra shqiptarëve patriotë që kanë dhënë jetën për Atdheun.
Flamuri ynë është dëshmi e historisë, forcës, guximit, është dëshmi e trashëgimisë së kulturës e mendimit, është zemra e një kombi që rreh me ritmin e tupaneve e vargjet epike të legjendës.
Flamuri ynë është fuqia që na bashkon si komb përtej çdo kufiri e largësie, është simboli që na kujton se mbrojtja e lirisë dhe e pavarësisë në të gjithë dimensionet e tyre nuk është thjesht detyrim ndaj të shkuarës, por një përgjegjësi ndaj të ardhmes, ndaj Shqipërisë që po lind dhe brezave që vijnë.
Flamuri ynë është endur në shekuj me jetët, gjakun dhe sakrificat e mijëra patriotëve, gra e burra shqiptarë, mençuria, maturia dhe trimëria e të cilëve është trashëgimia e vyer për ta ruajtur dhe përjetësuar në ditët tona të vështira.
Flamuri ynë është një thirrje për të mos harruar kush jemi – një komb që nuk e lindi rastësia, por qëndresa.