Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, prej më shumë se dy javësh ndodhet në burgun “313” në Tiranë. Ai ka dhënë disa intervista nga burgu. Së fundmi, për gazetaren e Vizion Plus, ai ka befasuar kur ka thënë se po kalon shumë mirë në qeli dhe se ka anën emocionale shumë pozitive.
Gazetarja: Zoti Meta u bë mbi dy javë nga arrestimi juaj. Si po kalojnë këto ditë në qeli? Si është trajtimi? Përveç fëmijëve dhe motrës tuaj cilët janë personat e tjerë që kanë shprehur interes dhe deshirë për t’ju vizituar? Në media është aluduar herë pas here nga persona të caktuar që ju nuk po i përballoni mirë emocionalisht këto dite… keni një koment?
Meta: Unë po kaloj shumë mirë, sepse lexoj shumë dhe stërvitem sa mundem për Maratonën. Po kështu kam kohë të shkruaj dhe shkëmbej mesazhe e letra me miq të dashur e të vërtetë. Ka shumë persona, gazetarë e miq që kanë kërkuar të takohen, por vetëm një takim në javë lejohet me familjarët. Ana emocionale është shumë pozitive. Ata që më kanë matur tensionin (për procedurë) kanë mbetur të habitur se janë parametra piloti.



