nga Fitim Zekthi
Partitë politike, sidomos opozita, janë instrumente të shoqërisë për të rregulluar apo ndryshuar qeverisjen. Nuk fiton kurrë një parti, sidomos opozita, nëse ajo nuk e sheh veten si instrument të shoqërisë, nëse ajo nuk artikulon gjërat që janë shqetësimi i vërtetë i shoqërisë, gjërat që i “hanë shpirtin” shoqërisë, gjërat që e bëjnë shoqërinë të vuajë çdo ditë. Një parti, sidomos opozita, nuk fiton kurrë nëse nuk i artikulon këto gjëra me njerëzit që i bartin dhe i kanë të brendshme këto shqetësime, nuk fiton kurrë nëse nuk i artikulon këto me njerëz të cilët shoqëria i beson apo beson se ata e duan vërtet me shpirt shoqërinë. Kur një parti, sidomos opozita, e sheh veten si instrument i njerëzve të partisë, si instrument që artikulon shqetësimet e njerëzve të partisë, ajo humb gjithmonë dhe humb keq. Këtë e tregon përgjiësisht historia politike e këtyre 70-80 viteve pluralizëm në vendet që zgjodhën demokracinë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.



