Truri ynë e ndan ditën në kapituj, duke e kthyer faqen jo kur ndryshon konteksti në të cilin gjendemi, por kur ndodh diçka e rëndësishme bazuar në pritshmëritë dhe interesat ku jemi të fokusuar.
Psikologët nga Universiteti i Kolumbisë arritën në këtë përfundim përmes një studimi të botuar në revistën Current Biology.
“Ne donim të vinim në dyshim teorinë se ndryshimet e papritura në aktivitetin e trurit që shënojnë fillimin e një kapitulli të ri në ditët tona shkaktohen vetëm nga ndryshimet e papritura në botë – që truri nuk po bën asgjë interesante kur krijon kapituj të rinj, thjesht po i përgjigjet në mënyrë pasive një ndryshimi në inputin ndijor”, thotë koordinatori i studimit Christopher Baldassano, një profesor i asociuar i psikologjisë në Universitetin e Kolumbias. “Hulumtimi ynë ka zbuluar se nuk është kështu: truri në fakt organizon në mënyrë aktive përvojat tona të jetës në copa që janë kuptimplote për ne.”
Për të kuptuar se si truri shënon kufirin midis ngjarjeve për t’i regjistruar ato si kapituj të veçantë të ditës, studiuesit matën aktivitetin e trurit të disa vullnetarëve duke i nënshtruar ata ndaj imazhit funksional të rezonancës magnetike ndërsa ata dëgjuan 16 audio në të cilat u treguan katër histori (ndarja e një çifti, një propozim martese, një marrëveshje biznesi dhe një takim i këndshëm) në katër ambiente të ndryshme (një aeroport, një restorant, një supermarket dhe një auditor).
Gjetjet tregojnë se truri e ndan përvojën në ngjarje individuale bazuar në atë që i kushton vëmendje, sikur ndjek një lloj skenari të brendshëm të bazuar në përvojat dhe pritshmëritë e kaluara. Për shembull, duke dëgjuar historinë e propozimit për martesë në restorant, korteksi paraballor i vullnetarëve e organizoi historinë në kapituj që kishin të bënin me propozimin për martesë në funksion të po-së fatale, ndërkohë që e bëri këtë në një mënyrë krejtësisht të ndryshme kur pjesëmarrësit iu kërkua të fokusoheshin në atë që hëngri çifti në restorant: në rastin e fundit, momente të tilla si porositja e pjatave u bënë kapituj vendimtarë të historisë.


