Kurthi që Rama ka ngritur për PD – Redaksionale

spot_img
Advertisements

Është e qartë që kryeministri Edi Rama pasi zgjodhi Sali Berishën kundërshtar për ta mundur edhe një herë ka bërë një tjetër lëvizje politike për të kapur shah-mat opozitën. Ai ka urdhëruar çuarjen në SPAK të 23 deputetëve të PD për zjarrëvënie (neni 151 i kodit penal), jo për ti dënuar me gjobë, por për ti yshtur kundër SPAK, kundër narrativës aq të dashur të ndërkombëtarëve të reformës në drejtësi. Ai përdori 23 deputetë si shkarpa për të mbajtur gjallë antagonizmin e PD -Berisha kundër reformës në drejtësi. Ai përdor hallin e Berishës, Metës e të tjerëve në drejtësi që tu thotë ndërkombëtarëve këta janë “talebanë” të pareformueshëm që nuk duan përparim modern dhe sundim të ligjit. Ai do ti mbajë mediat dhe diskursin publik tek zjarri (shih deklaratat e Manjës, Hoxhës, etj), tek opozita në luftë me SPAK dhe jo të japë sqarime çfarë ka bërë me 55 miliardë euro që ka shpenzuar në 12 vite buxhet.

Po pse e bën këtë Edi Rama? Sepse i duhet të përligjë mandatin e 4t të paprecedentë në rajon, ku të gjithë kandidatët për autokratë mund të marrin si shembull Edi Ramën dhe PS. Është shumë e vështirë për tu shitur mandati i 4t në BE dhe Uashington, prandaj Edi Rama është më shumë jashtë sesa brenda vendit. Ai kërkon të bindë ose të trembë ndërkombëtarët me Sali Berishën, si dordolec, për kthimin prapa të proçeseve reformuese në drejtësi dhe integrim.

Si përgjigjet Berisha? Siç do Edi Rama. Shan gjithë ditën drejtësinë, SPAK dhe dërgon Gaz Bardhin në SPAK, sa për hallin e tij, aq për hallin e Edi Ramës. Ai e ka me detyrim-përcaktim radikalizimin dhe demonizimin e gjithçkaje për 8 muajt e mbetur deri në zgjedhje. Ai do të tregojë dhe do të instrumentalizojë gjithçka që “opozita (ai) është nën agresion, deri në zhdukje, ja vdekje ja liri”. Këtu e ka të thjeshtë të shajë e demonizojë sepse nuk bën dot fushatë poziviste, për të krijuar shpresë dhe vrull si në 2021, përkundrazi do rreshtim ushtarak “mobilizim kundër diktaturës” dhe vende të sigurta për jeniçerët e tij.

Siç mund të kuptoni, situata është win-win. Fitore për Edi Ramën dhe sukses opozitar për Berishën. Njëri qeverinë, tjetri kap opozitën, me kod zgjedhor dhe me oligarki, duke sterilizuar edhe lëvizjet e reja. Është një tango dyshe që lexohet shumë thjeshtë sepse loja është e trashë.

Latest articles

Related articles