ANALIZA | Berisha i parashikueshëm, Qeveria Rama është kthyet në Parti-Shtet

nga Sebastian Zonja

Opozita ka kaluar në sulm, siç tha edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha.
“Ne do kalojmë në sulm. Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, ka instrumente për të mashtruar, por ne kemi instrumente që me guximin tonë, me revoltën tonë, e paralizojmë anekënd vendit këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive, e të drejtave, e dinjitetit, e qenies së shqiptarëve. Dhe sot është koha që të përdorim të gjitha këto instrumente”, tha Berisha.
Hapi i parë ishte djegja e karrigeve të kuvendit. Më pas do të vijohet me protesta dhe mosbindje civile, siç tha sërish kreu i PD-së duke kërkuar qeveri teknike.

Ndërkohë, ndërsa lexojmë kërkesat, çfarë mund të kuptojmë nga kjo lëvizje?

  1. Sali Berisha bën gjithnjë të njëjtën gjë dhe pret rezultate të ndryshme. Të qenit i parashikueshëm në lëvizje është një nga mënyrat që në taktikat ushtarake çon në disfatë. Ndërkohë, sikundër në artin ushtarak, edhe në politikë, të qenit konsistent në qendrime dhe i paparashikueshëm në veprime është vlerë që mund të çojë drejt fitores së betejës.
  2. Më shumë se unifikimi i radhëve të demokratëve, kjo është taktikë për të unifikuar radhët e deputetëve. Instrumenti i frikësimit të deputetëve aktualë, që mendojnë të mos e ndjekin Berishën apo t’i bëjnë ndonjë lojë pas krahëve nuk funksionon. Një politikan i kalibrit të Berishës e di mirë se duhet t’i ketë të gjithë në front dhe rresht. Ata që nuk e ndjekin pas në këtë revoltë me maksimumin e energjive të tyre nuk do të jenë pjesë e listës zgjedhore.
  3. Radikalizimi shërben për të çliruar energji të reja, por ka një të keqe të madhe – pas një pike shkon në rrugë pa kthim.
  4. Aksioni politik pa një ide qendrore është çuarje dëm e energjive të demokratëve.
  5. Qeveria shqiptare sot është Parti-Shtet dhe vajtja në këtë pikë ka arsyet e veta, ndër të cilat reforma territoriale, ajo zgjedhore, lënia e bashkive dhe braktisja e mandateve nga opozita.

Fuqia e të pafuqishmit në raste të këtilla është reflektimi dhe mendimi. Aksioni dhe radikalizimi pa mendim është taktikë që dikush të përfitojë diçka, ndërsa të tjerët të sfiliten për t’u zëvendësuar kollaj më pas.

Latest articles

Related articles