nga Sebastian Zonja
Izraeli, sipas disa medieve ndërkombëtare, përdori armët më të fuqishme në magazinë për të vrarë liderin e Hezbollahut Hasan Nasrallah. Një lagje e tërë u gropos brenda sekondash. Pati civilë të vrarë. Madje, disa medie arabe shkruajnë se janë përdorur bomba termobarike, sepse eksponentët e Hezbollahut qëndronin 20 metër nëntokë. Këto janë bombat që përdorte Rusia në Ukrainë në fillim për të tmerruar Kievin.
Duke marrë parasysh deklaratën e Tel Avivit se faza e radhës e luftës është prerja e zinxhirit të furnizimit nga Irani për këtë organizatë, me gjasë do shohim bombardime në Siri dhe Irak.
Në krahun tjetër, pavarësisht deklaratave publike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po lejojnë aleatin e tyre të bëj atë që s’e bënë vetë, të bombardojë lagje të tëra, siç bëjnë rusët në Ukrainë, vetëm që të arrijë qëllimin – vrasjen e liderit të Hamasit apo Hezbollahut. Gjatë bombardimit të Serbisë, Afganistanit apo Irakut, meraku kryesor amerikan ishte popullsia civile, jo bombardimi i pallatit presidencial serb apo iraken.
Sot, me këto ngjarje që shohim, se si shuhen lagje të tëra në sekonda pa pikë meraku, kemi hyrë në fazën fundore të liberalizmit amerikan. Fuqitë e mëdha po heqin dorezat e bardha. Ne shqiptarëve na bie keq, sepse nga kjo situatë përfitojnë veç të fortët. Ne kemi vetëm Edi Ramën, se ushtri e ekonomi i kemi përtokë
Shih Izraelin që thotë se fituesi bën ç’mundet, humbësi vuan atë që duhet. Është superfuqia e rajonit dhe mund të mposht këdo në përballje ushtarake, shto edhe përçarjen e madhe të vendeve arabe.
Një aspekt tjetër është tendenca gjithnjë e më të madhe izraelite që kërkon përballje me Iranin, ndërsa amerikanët e kërcënojnë dhe mbajnë nën tension me lajme se si Irani kërkon të vrasë Trampin apo të manipulojë zgjedhjet në ShBA.
Kështu si po shkojnë punët, ndërsa politika e fuqive të mëdha është rikthyer, rujna Zot nga një luftë në Ballkan se do bëhet kasaphanë!