Ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet me prokurorët e posaçëm ditën e mërkurë, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat ndaj tij, për dosjen “Partizani”. SPAK ka përfunduar hetimet gati një vjeçare për të dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, ndaj dosja pritet të shkojë për gjykim.
Por, në të njëjtën ditë që prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai e kanë thirrur të lërë arrestin e shtëpisë ku ndodhet prej dhjetorit 2023, Sali Berisha ka thirrur militantët në protestë.
Pak orë pasi avokatët dhe vetë lideri demokratë janë njohur me fletëthirrjen e SPAK, një mesazh u është dërguar demokratëve që ditën e mërkurë datë 11 shtator të grumbullohen përpara organit të akuzës. Berisha dhe Malltezi do të njihen me akuzat zyrtare në orën 14.00.
“Të dashur miq. Ditën e Mërkurë ne ora 12:00 kryetari i PD Prof. Dr .Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Te mobilizohemi të gjithë maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narko-drejtësisë. Faleminderit”, thuhet në mesazhin dërguar strukturave të Partisë Demokratike.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin, dhëndrin e tij dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi për veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.


