Kosova bleu 8 milion euro ilaçe nga kompanitë serbe

Pavarësisht deklaratave të mëparshme të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili thoshte se ka kaluar koha kur Kosova kërkonte nga prokurimi që të marrë tendera nga një kompani serbe, duke fajësuar opozitën për këto veprime, sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës vetëm në dy vitet e fundit janë importuar 8 milionë euro barna nga Serbia.

“Ka kaluar koha zotëri Haxhiu, kur deputetet kanë ardhur në Zyre të Prokurimit dhe kanë kërkuar nga prokurimi që të marrë tenderin një kompani serbe me vitamina C dhe kanë bërë presion në prokurim. E dini këtë”, ishte deklarata e Vitisë në Komisionin e Shëndetësisë më 14 shkurt të 2023-së.

Ilaçi “Tramadol” i cili bënte pjesë në Listën e Barnave Esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se ishte vetëm njëri nga medikamentet që është blerë nga Serbia pavarësisht vendimit të ekzekutivit të cilët e ndaluan importin e produkteve nga ky shtet më 14 qershor të 2023-së.

Në vitin 2023 nga Serbia, Kosova ka importuar 8 ilaçe të cilat kapin vlerën prej afër 3 milionë eurosh ndërsa në vitin 2024 deri më 29 gusht, Kosova ka importuar 9 medikamente, vlera e të cilave gjithsej është mbi 5 milionë euro.

Që do të thotë për dy vjet Kosova importoi afër 8 milionë euro barna nga Serbia.

Sipas të dhënave që ia ka dërguar Dogana e Kosovës, ilaçet të cilat janë siguruar nga Serbia gjatë vitit 2023 janë, “vaksinat për ilaç njerëzor, vaksinat për ilaç veterinar, medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë penicilina dhe derivatet prej tyre, me një strukturë acidi penicillanik apo streptomicina apo derivatet prej tyre”.

Latest articles

Related articles