.
KPK ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku, e cila ka shpërthyer në lot pas këtij vendimi nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Prokurorja Rrumbullaku është prokurorja që ka pasur në dorë ekstradimin e financierit të Habilajve, Nezar Seitit, hetimin për çiftin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina si dhe mori në ngarkim vite më parë hetimin e dosjes së miliardave të sekuestruar në Portin e Durrësit në vitin 2018 në dy “Toyota”, për t’ia kaluar më pas Prokurorisë për Krime të Rënda.
Prokurorja e Tiranës, Ornela Rrumbullaku, u përball të hënën më 2 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.
Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me bashkortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.