Analiza e Condoleezza Rice: Fuqitë revizioniste po marrin territore me forcë. Rendi ndërkombëtar po prishet

spot_img
Advertisements

Foreign Affairs

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, zyrtarët e administratës së George W.Bush-it iu referuan sulmit japonez në Pearl Harbor, si një krahasim standard sa i përket dështimit të shërbimeve sekrete.

Sekretari i Shtetit, Colin Powell, iu referua sulmit të Japonisë perandorake, duke i dhënë një ultimatum talebanëve: ”Shtetet e mira nuk kryejnë sulme të befasishme!”. Dhe ndërsa zyrtarët u përpoqën të vlerësonin përparimin në Afganistan dhe më vonë në Irak, në skenë doli një tjetër analogji: mbështetja katastrofike e presidentit amerikan Lyndon Johnson ndaj luftës në Vietnam.

Edhe nëse historia nuk përsëritet, ajo rimon ndonjëherë. Sot analogjia e preferuar është Lufta e Ftohtë. Shtetet e Bashkuara po përballen sërish me një kundërshtar që ka shtrirje globale dhe ambicie të mëdha. Vendin e Bashkimit Sovjetik e zë sot Kina. Natyrisht, ky është një krahasim është joshës, sepse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e fituan Luftën e Ftohtë.

Por periudha aktuale nuk është thjesht një inerci e Luftës së Ftohtë. Përkundrazi, është më e rrezikshme. Sepse Kina nuk është Bashkimi Sovjetik. Ky i fundit ishte i vetë-izoluar, ndërsa Kina i dha fund izolimit që në fundin e viteve 1970. Dallimi i dytë midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, ka të bëjë me rolin e ideologjisë.

Nën Doktrinën Brezhnjev që sundonte Evropën Lindore, një vend aleat duhej të ishte një kopje e saktë e komunizmit sovjetik. Ndërkohë Kina është kryesisht jo-imponuese mbi sistemin e brendshëm të shteteve të tjera. Ajo mbron me forcë epërsinë e Partisë Komuniste Kineze, por nuk këmbëngul që të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Edhe pse është e lumtur të mbështesë shtetet autoritare, duke eksportuar teknologjinë e saj të mbikëqyrjes dhe shërbimet e mediave sociale. Por nëse konkurrenca aktuale nuk është Lufta e Dytë e Ftohtë, atëherë me çfarë po ndeshemi? Duke iu dorëzuar impulsit për të gjetur referenca historike apo analogji, mund të mendohet për imperializmin e fundit të shekullit XIX dhe ekonomitë e periudhës ndërmjet dy luftërave.

Tani, ashtu si atëherë, fuqitë revizioniste po marrin territore me forcë dhe rendi ndërkombëtar po prishet. Por ngjashmëria ndoshta më e habitshme dhe shqetësuese është se sot, ashtu si në epokat e mëparshme, Shtetet e Bashkuara po tundohen të mbyllen në vetvete.

Peizazhi i sotëm në fushën e sigurisë, paraqet rrezikun e konfliktit të drejtpërdrejtë ushtarak midis fuqive të mëdha. Pretendimet territoriale të Kinës, po i sfidojnë aleatët amerikanë nga Japonia në Filipine. Interesat e vjetra të SHBA-së si liria e lundrimit, po bien në konflikt të drejtpërdrejtë me ambiciet detare të Kinës.

Pastaj është çështja e Tajvanit. Një sulm ndaj ishullit, do të kërkonte një kundërpërgjigje ushtarake të SHBA-së, edhe sepse politika e “paqartësisë strategjike” e Uashingtonit krijon pasiguri mbi natyrën e saktë të saj. Rendi liberal i pas Luftës së Dytë Botërore, ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj tmerreve të periudhës së midis dy luftërave.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e analizuan krizën ekonomik dhe agresionin ndërkombëtar të viteve 1920- 1930, dhe e gjetën shkakun e tyre tek proteksionizmi, manipulimi i monedhës dhe pretendimet e dhunshme për burime. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ndërtuan një rend ekonomik që nuk ishte më me shumën zero.

Në konferencën e Bretton Woods, ata hodhën bazat për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Marrëveshjen e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë (paraardhësi i Organizatës Botërore të Tregtisë), të cilat promovuan lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve dhe stimuluan rritjen ekonomike ndërkombëtare.

Ishte në përgjithësi një strategji tejet e suksesshme. PBB-ja globale u rrit pandalshëm, duke e tejkaluar në vitin 2022 vlerën 100 trilion dollarë. Sistemi i sotëm ndërkombëtar nuk po rikthehet si në fillim të shekullit XX. Shpesh teprohet me “vdekjen” e globalizimit. Por është fakt që Shtetet e Bashkuara mungojnë prej gati një dekade në negociatat mbi tregtinë.

Është e vështirë të kujtohet hera e fundit kur një politikan amerikan e ka mbrojtur me zell tregtinë e lirë. Dhe kjo ngre pyetjen: A mund t’i mbijetojë mungesës së Shteteve të Bashkuara aspirata për lëvizjen më të lirë të mallrave dhe shërbimeve? Gjykoj se globalizimi do të vazhdojë të ekzistojë në njëfarë forme.

Por është zbehur ndjenja se ajo është një forcë pozitive. Kujtojmë pak mënyrën se si vendet vepruan në përgjigje të sulmeve të 11 shtatorit, përkundrejt mënyrës se si vepruan në përgjigje të pandemisë. Pas 11 shtatorit, bota u bashkua në trajtimin e sfidës së terrorizmit, një problem që pothuajse çdo vend po e përjetonte në njëfarë forme.

Brenda pak javësh nga sulmi, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri një rezolutë që lejonte gjurmimin e financimit të terrorizmit përtej kufijve kombëtare. Vendet i harmonizuan me shpejtësi standardet e tyre të sigurisë në aeroporte. Por në vitin 2020, bota pa hakmarrjen e shtetit sovran.

Institucionet ndërkombëtare u komprometuan. Shembulli kryesor ishte Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ishte afruar shumë me Kinën. Kufizimet e udhëtimit, ndalimet e eksportit të mjeteve mbrojtëse dhe pretendimet për vaksinat, e vështirësuan rrugën drejt rimëkëmbjes ekonomike.

Me një hendek në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në njërën anë, dhe Kinës dhe Rusisë nga ana tjetër, është e vështirë të imagjinohet rikthimi i kësaj tendence. Integrimi ekonomik, që pas shembjes së Bashkimit Sovjetik mendohej të ishte një projekt i përbashkët për rritje ekonomike dhe paqe, i ka lënë vendin një loje me shumën zero për territore, tregje dhe inovacion.

Në këto kushte, si mund të shmanget përsëritja e historisë? SHBA-ja duhet të ndjekë këshillën e diplomatit të saj të famshëm George Kennan në vitin 1946. Ai e këshilloi Uashingtonin t’i mohonte Bashkimit Sovjetik rrugën e lehtë të zgjerimit të jashtëm, derisa të detyrohej të merrej me kontradiktat e veta të brendshme.

Dhe në fakt 4 dekada më vonë, përpjekjet e liderit sovjetik Mikhail Gorbachev për të reformuar një sistem shumë të kalbur, përfunduan duke e shembur atë. Sot, kontradiktat e brendshme të Rusisë janë të dukshme. Putini ka zhbërë mbi 30 vite të integrimit rus në ekonominë ndërkombëtare dhe mbështetet tek një rrjet shtetesh oportuniste.

Askush nuk e di se sa mund të mbijetojë Rusia në këtë formë, por regjimi në Moskë mund të shkaktojë shumë dëme para se të bjerë. E ardhmja e Kinës nuk është aq e zymtë sa ajo e Rusisë. Por edhe Kina ka kontradiktat e saj të brendshme. Vendi po përjeton një përmbysje të shpejtë demografike.

Lindjet kanë rënë me më shumë se 50 për qind që nga viti 2016. Një kontradiktë tjetër buron nga bashkëjetesa jo e lehtë e kapitalizmit dhe e komunizmit autoritar. Xi është një marksist i vërtetë. Epoka e artë e Kinës e rritjes ekonomike të udhëhequr nga sektori privat është ngadalësuar, kryesisht për shkak të ankthit të Partisë Komuniste Kineze për burimet alternative të pushtetit.

Në këto kushte, Uashingtoni duhet të ruajë presionin ekonomik ndaj fuqive revizioniste. Ai duhet të vazhdojë ta izolojë Rusinë, me synim ndalimin e mbështetjes së vazhdueshme së Pekinit për Kremlinin. Por duhet të shmangë vendosjen e sanksioneve të rënda ndaj Kinës, pasi ato do të ishin joefektive dhe kundër-produktive, duke e dëmtuar vetë ekonominë amerikane.

Kjo strategji do të kërkojë investime. Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë aftësitë e mbrojtjes të mjaftueshme për t’i mohuar Kinës, Rusisë dhe Iranit arritjen e qëllimeve të tyre strategjike. Lufta në Ukrainë, ka nxjerrë në pah disa dobësi në bazën industriale të mbrojtjes amerikane, të cilat duhen korrigjuar.

Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera duhet ta fitojnë garën teknologjike të armëve, pasi në të ardhmen teknologjitë transformuese do të jenë burimi më i rëndësishëm i fuqisë kombëtare. Lajmi i mirë është se duke pasur parasysh sjelljen e Kinës dhe Rusisë, aleatët e Shteteve të Bashkuara janë të gatshëm të kontribuojnë në mbrojtjen e përbashkët.

Shënim: Condoleezza Rice, Drejtoreshë e Institutit Huver në Universitetin e Stenfordit. Me herët ka qenë Sekretare e Shtetit në vitet 2005-2009 dhe Këshilltare e Sigurisë Kombëtare në vitet 2001-2005.

Latest articles

Related articles