Nga Enton Abilekaj
Kur Drejtori i Policisë flet si politikan dhe pastaj një politikan që është Kryeministër tregon se ia ka bërë ai fjalimin që mezi e lexonte, domethënë se Shteti nuk ekziston. Policia e Shtetit është bërë fraksion i interesave të pushtetit dhe si rrjedhim armike e shumicës, aleate e atyre të fortëve që në zgjedhje i shërbejnë partisë dhe 4 vjet shtyjnë, dhunojnë, vjedhin, grabisin dhe vrasin të pambrojturit.
E konfirmuan vetë sot Muhamed Rrumbullaku dhe Edi Rama. Në vend të jepnin llogari me përgjegjësinë e detyrës, kërcënuan mediat që bënë transparencë, në vend të tregonin me fakte, orën, vendin dhe personazhet e ngjarjes, e shtuan tymtë mbi të, për të fshehur përgjegjësinë e tyre, duke u shërbyer edhe njëherë autorëve. Edhe sot ata u renditën me të fortët që morën jetën e babait të dy fëmijëve.