Gulf News, Mohammad Alrumaihi
As Teherani dhe as Tel Avivi, nuk duan që të përfshihen në një luftë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë. Ky skenar duket më shumë si një truk politik. Një shqyrtim më i afërt i retorikës nga të dyja palët, zbulon se secila palë i kupton aftësitë e tjetrës…
Pas operacionit të muajit prill, i quajtur “Premtimi i sinqertë”, Izraeli u bë plotësisht i vetëdijshëm se kufijtë e fuqisë iraniane janë më pak të frikshëm se sa propagandon shpesh Teherani. Ndërkohë, edhe Teherani duket se e ka kuptuar se retorika e tij për “fshirjen nga harta të Izraelit”, nuk është gjë tjetër veçse një slogan për audiencën naive.
Në vend se të angazhohen në një konflikt të drejtpërdrejtë midis tyre, të dyja këto kombe ka të ngjarë të vazhdojnë të zhvillojnë betejat e tyre përmes përfaqësuesve, dhe në territoret përtej tyre. Kjo luftë e kufizuar, nuk do të ketë ndonjë ndikim strategjik në ndryshimin e rregullave të lojës, por do të jetë një barrë shkatërruese për arabët dhe vendet e tyre, të cilët do të mbajnë peshën kryesore të dhunës.
Shumëkush në mediat arabe, është thelluar në detajet rreth vrasjes së shefit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran, me disa narrativa që priren drejt mitizimit. Në këtë mënyrë, ata shpesh e kanë anashkaluar një analizë të thelluar të qëllimeve, dhe sidomos realitetin se Izraeli nuk është domosdoshmërisht një “armik i përhershëm i Iranit”.
Në fakt, armiqësia e Izraelit ndaj Teheranit kufizohet kryesisht në mbështetjen e tij për grupet e etiketuara si “përfaqësuesit e Iranit”, të cilat paraqesin shkallë të ndryshme shqetësimi për shtetin hebre si dhe për tregtinë ndërkombëtare.
I zënë në kurth nga retorika e vet
Regjimi iranian po lëkundet midis “kërkesave të shtetit” dhe “nevojave të revolucionit”, një akt balancues që nuk është aspak i thjeshtë. Me kalimin e kohës, interesat janë çimentuar, forcat janë rritur dhe institucionet janë formuar për të përfaqësuar të dyja palët brenda sistemit aktual iranian.
Publikisht, të dyja fraksionet e paraqesin veten si “mbështetës të republikës”, por në prapaskenë, ato ndjekin agjenda kontradiktore, duke mos pasur asnjë mjet për të eliminuar tjetrin. Këtë e ndërlikon edhe një palë e tretë në Iran, e cila ekziston jashtë ekuacionit tradicional midis atyre të vijës së ashpër dhe reformatorëve.
Ky grupim përfshin si opozitën e organizuar – të brendshme dhe të jashtme – ashtu edhe një segment më të madh e të paorganizuar të popullsisë. Duke përfaqësuar prejardhje të ndryshme etnike dhe rajonale, ky segment është shumicë dhe kërkon një shtet civil modern, të fokusuar tek zhvillimi ekonomik, arsimi cilësor dhe harmonia me komunitetin ndërkombëtar.
Grupi “nevojat e revolucionit”, ka zhvilluar interesa të rrënjosura që janë të vështira për t’u kapërcyer, duke e nxitur regjimin të bëjë përpjekje të forta për t’u mobilizuar emocionalisht dhe qetësuar këtë grup, veçanërisht në momente që ai i konsideron kritike, siç është vrasja e Ismail Haniyeh në Teheran.
Për ta qetësuar këtë fraksion, regjimi lëshon vazhdimisht deklarata të ashpra. Në fakt, regjimi ka rënë në grackën e retorikës së tij, një dukuri kjo më se e zakonshme në shtetet totalitare. Pas vrasjes së Haniyeh, Irani filloi “konsultimet” se si do të kundërpërgjigjet, duke angazhuar në bisedime edhe milicitë e mbështetura prej saj, duke përfshirë Huthit në Jemen, Hezbollahun në Liban dhe grupime të ndryshme të armatosura në Irak.
Ky bashkëpunim, nxjerr në pah një fenomen të veçantë politik:një aleancë midis një shteti të njohur nga Kombet e Bashkuara, me ambasadorë në shumicën e vendeve dhe me një qeveri qendrore nga e cila pritet t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar, dhe milicive që klasifikohen ndërkombëtarisht si organizata terroriste.
Shitja e iluzioneve
Me konotacionet e tyre negative dhe mospërfilljen e normave ndërkombëtare, këto grupime po kundërshtohen edhe brenda vendeve të tyre. Megjithatë, pavarësisht nga këto kontradikta, Irani vazhdon të rreshtohet me këta aktorë jo-shtetërorë, duke ngritur pikëpyetje rreth natyrës dhe pasojave që mund të sjellë një aleance të tillë.
Hezbollahu nuk është Libani, Huthit nuk janë Jemeni, dhe grupet e armatosura nuk janë Iraku. Të gjitha këto vende kanë qeveri – disa relativisht efektive, të tjera thjesht fasada – të njohura nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, milicitë veprojnë jashtë këtyre strukturave zyrtare, shpeshherë duke ua sabotuar punën.
Bashkëpunimi i vazhdueshëm midis këtyre milicive dhe Teheranit, nënvizon synimin e Iranit për të ndikuar tek këto grupe, në vend se të përfshihet drejtpërdrejt në konflikte, duke reflektuar një strategji të gjatë. Teherani orkestroi operacionin “Përmbytja Al-Aksa” nën iluzionin e “unitetit të shesheve”, një koncept që u besua nga disa njerëz naivë.
Megjithatë, pas luftimeve shkatërruese dhe mijëra të vrarëve në Gaza, Irani mbeti kryesisht një spektator, me përjashtim të disa raketave të lëshuara drejt Izraelit nga Libani Jugor. Njëkohësisht, Teherani u angazhua në qëndrime politike. Si gjithmonë, janë popujt arabë ata që mbajnë peshën kryesore të gjakderdhjes, siç shihet në Gaza, Liban, Jemen, Siri dhe Irak.
Populli iranian vazhdon të vuajë pasojat e shterimit të burimeve materiale dhe njerëzore. Kjo strategji e vazhdueshme, vetëm sa i ka shtuar pakënaqësitë brenda Iranit, duke e zgjeruar terrenin për kundërshtime. Rezultati është një privim i vazhdueshëm i së drejtës së popullit iranian për një jetë të denjë, zhvillim ekonomik, stabilitet politik dhe një bashkëjetesë paqësore me fqinjët e tyre dhe me të gjithë botën. Për sa kohë që mbetemi peng i praktikës së shitjes së iluzioneve tek populli ynë, rajoni nuk do të ketë stabilitet.
Shënim: Mohammad Alrumaihi, publicist dhe profesor i sociologjisë politike në Universitetin e Kuvajtit


