Shërbimet ruse të sigurisë kanë paralajmëruar me shkrim presidentin Aleksandar Vuçiç se në Serbi po përgatiten trazira masive, qëllimi përfundimtar i të cilave është një grusht shteti dhe përmbysja e lidershipit të tij, shkruajnë mediat serbe.
Presidenca e Serbisë ka konfirmuar se ka marrë një paralajmërim nga Rusia, nisur dhe nga tubimet e lajmëruara nga opozita serbe. Mediat në Beograd shkruajnë se po përgatitet mejdanizimi i vendit, i mbështetur nga disa shërbime të inteligjencës perëndimore.
Nesër do të jetë protesta e parë e paralajmëruar nga opozita dhe arsyeja e deklaruar se saj është beteja kundër minierave të litiumit në Jadr dhe rrethinat e tij, dhe qëllimi thelbësor është një përpjekje për të destabilizuar dhe ndryshuar me forcë qeverinë, sipas B92.
Skenari i tubimit të asaj që mediat në Beograd e cilësojnë si opozita properëndimore është ende sekret, megjithatë në Serbi thonë se ai do të jetë një test i madh për sigurinë publike të vendit ballkanik, përcjell newsbomb.al.
Mediat që mbështesin tashmë prej vitesh një politikan si Aleksandër Vuçiç, shkruajnë se informacionet e shërbimeve ruse për Presidentin e Serbisë vërtetohen edhe nga thirrja e grupeve dhe organizatave neonaziste Zentropa, Srbska Akcija, Klub 451 dhe Zboraška omladine, që t’i bashkohen tubimit.
Kryeprokurori publik i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, paralajmëroi se dhuna në rrugët e kryeqytetit nuk do të tolerohet dhe u bëri thirrje pjesëmarrësve të protestës që të ushtrojnë të drejtën e tyre për tubim paqësor në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Serbisë.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq ka thënë gjithashtu se nuk do të lejohet dhuna në rrugë, si dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe pjesëtarëve të policisë


