nga Endri Shabani
Çdo kohë ka VIP-at e vet.
VIP-at e Rilindjes kombëtare të shek 19 ishin shkrimtarët, mësuesit dhe burrat e shtetit që ndërgjegjësuan shqiptarët për identitetin kombëtar.
VIP-at e diktaturës komuniste ishin koperativistet si Lenka Çuko dhe Shkurte Vata, të cilat jepnin jetën për partinë.
VIP-at e kohëve të sotme janë halabakët e rrugës dhe kriminelët, që merren me drogë, rrihen me grushta, gjuajnë njera tjetrën me shishe kokës, dhe pozojnë me armë në dorë.
Rilindasit i këndonin Shqipërisë, koperativistet i këndonin Enverit, ndërsa VIPistët sotëm i këndojnë drogës të bardhë dhe jeshile.
Ashtu si gjatë diktaturës komuniste kur koperativistet promovoheshin nga diktatori Hoxha, edhe VIPistët e sotshëm i sheh gjithë kohës në fushatë për Ramën dhe Veliajn.
Nuk është rastësi. Përkundrazi!
Çdo sistem promovon ato vlera mbi të cilat qëndron.
Rilindja kombëtare qëndronte mbi patriotizmin dhe aspiratën politike për një shtet të pavarur.
Diktatura komuniste qëndronte mbi shfrytëzimin e shqiptarit të zakonshëm nëpër kooperative dhe fabrika.
Ndërsa regjimi i sotëm qëndron mbi degradimin moral, dhe promovimin e jetës boshe, pa lejuar fenë apo moralin që ta pengojë njeriun në rrugën drejt pasurimit të lehtë dhe të shpejtë.
Në një kohë si kjo, Big Brotherin e fitojnë njerëz të dënuar për mashtrim apo krime të tjera. Festivalin e fitojnë njerëz të dënuar për trafik droge dhe vajzash. Trafikantët e drogës promovohen si artistë në librat e shkollës dhe kriminelët kthehen në simbole të artit dhe kulturës.
Kështuqë për sa kohë fëmijët tanë do vazhdojnë të dëgjojnë këngët e Noizyt, të kërcejnë me tingujt e Stresit, dhe do ndjekin motrat Berisha dhe Luizin në BBV, ata nuk do ta kenë fare problem të votojnë për politikanë vrasës, trafikantë droge apo hajdutë ikonash, taksash e pronash.
Në fund të fundit çdo regjim promovon modelet e veta, dhe kjo është koha e regjimit të maskarenjve!