Kushdo që do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara pas zgjedhjeve të nëntorit, do të duhet të përballet me sfida shumë të mëdha, me një botë në një transformim të thellë dhe me një shpejtësi mbresëlënëse, nga e cila askush nuk duket në gjendje të gjejë rrugëdalje, dhe aq më pak të kuptojë se çfarë po ndodh dhe ku po shkojmë.
Ajo që i mungon sot SHBA-së janë shtetarët e nivelit të lartë si Henry Kissinger, por edhe filozofët, nga Husserl te Spengler, të cilët ishin dikur në gjendje të ofronin një horizont filozofik më të gjerë sesa rastësia. Pra mungojnë si idetë, ashtu edhe zyrtarët e duhur për t’i vënë ato në zbatim.
Dhe ne duhet të reflektojmë mbi arsyet e kësaj mungese. Në fakt, kohët e fundit ka pasur shumë shkrime mbi mungesën e propozimeve globale për të dalë nga krizat aktuale. Për këtë mjafton të mendojmë për problemet e mëdha me rëndësi globale që kanë prekur Evropën, duke nisur nga lufta në Ukrainë.
Kompleksiteti dhe vështirësia e situatës, kanë të bëjnë kryesisht me marrëdhëniet e ndërlikuara midis krizave rajonale dhe lidhjeve globale, midis problemeve të sigurisë dhe mekanizmave funksionues të sistemit botëror, që sot është bërë një i vetëm për të paktën tre arsye.
Globalizimi ekonomik dhe financiar, zhvillimi teknologjik që ka prodhuar një koracë të jashtme që mbështjell gjithçka dhe këdo, dhe shfaqja në skenë e kompanive të mëdha teknologjike me buxhete më të mëdha se sa shumë shtete kombëtare.
Brenda këtyre dinamikave të pakontrollueshme që ecin përpara duke lënë gjurmët e tyre, do lëvizin edhe shtetet-kombe të vjetra, duke menaxhuar ende çështjen e “sigurisë” me logjikën e shekullit XX, të paafta për t’iu përgjigjur me efektivitet sfidave që kanë përpara, dhe të detyruara të ndjekin ngjarjet e t’i drejtohen retorikës që buron nga një trashëgimi e vjetruar.
Është mbresëlënës leximi i krizave aktuale botërore me “syzet” e Luftës së Ftohtë, që tenton t’i shohë konfliktet në kuadrin e përplasjes së demokracisë kundër totalitarizmit, lirisë kundër barbarizmit! Kështu zgjedhjet presidenciale në Amerikë, shndërrohen në një përplasje midis izolacionistëve dhe demokratëve ndërhyrës në krizat e botës, sipas traditës së gjatë Uillsoniane.
Trump akuzohet se do që t’i kthejë shpinën botës, dhe se do të mbyllet në kontinentin e ri të mbrojtur nga dy oqeanet. Ndaj është ndoshta e dobishme të lexoni dhe informoheni. Një qasje të vizionit “Amerika e Para” ndaj Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, na e ofron një tekst i redaktuar nga gjenerali Keith Kellogg, ish-shefi i shtabit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në presidencën e parë të Trump.
Mendimet e një këshilltari mbi sigurinë kombëtare para zgjedhjeve, nuk janë politika e jashtme e një presidenti, dhe aq më pak e një njeriu si Donald Trump, i cili duket krejtësisht i paparashikueshëm. Por në këtë rast janë të rëndësishme 3 gjëra.
Synimi i artikullit është ambicioz dhe i rëndësishëm, duke qenë se autorët janë të sigurt se me Donald Trumpin, është hapur një epokë e re në sigurinë kombëtare amerikane. Dhe në një kohë që është në një fazë të paraluftës, SHBA-ja duhet të tregohet se është e aftë ta menaxhojë, para së gjithash për të mbrojtur veten.
Argumenti i parë, është interpretimi i dështuar nga administratat demokratike mbi çështjen e sigurisë, duke filluar që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ajo periudhë e la Uashingtonin me një trashëgimi të supremacisë absolute, ushtarake, ekonomike, diplomatike, por që tashmë është e zbehur dhe e vënë në dyshim.
Dështimi i Clintonit dhe Obamës, mund të shpjegohet me një përzierjeje të mendjemadhësisë dhe ideologjisë. Përmes liberalizmit, sigurisë tek cilësitë e mrekullueshme të globalizimit, sinonimit të lirisë dhe paqes, dhe besimit se multilateralizmi në vetvete do të sillte një siguri më të madhe, presidentët demokratë e çuar vendin e tyre drejt katastrofës.
Dhe pjesën tjetër e botës e percepton sot “kombin e domosdoshëm” si “të dobët, të pasigurt dhe pa udhëheqje”. Shembujt e kësaj dobësie janë të shumë. Sot SHBA-ja e ka humbur dominimin e deteve, siç tregohet nga sulmet e vazhdueshme të rebelëve Huthi në Gjirin Persik, ku flota amerikane nuk është në gjendje të garantojë lirinë e lundrimit, e cila ka qenë shtylla e supremacisë anglo-saksone që nga koha e luftës së Anglisë kundër Spanjës.
Edhe supremacia industriale amerikane, ka mbetur vetëm një kujtesë e bukur, pasi sot nuk është në gjendje të plotësojë nevojat e luftës. Për këtë, mjafton të shohim problemet me prodhimin të predhave të artilerisë që do të dërgohen në Ukrainë.
Prandaj, Shtetet e Bashkuara janë të dobëta në reagimin e tyre edhe brenda vendit, ku nuk janë në gjendje të përballen me sfidat e karteleve meksikane të trafikut të drogës. Por mbi të gjitha, ato duken të paafta për t’u përballuar me sfidën qendrore, pra janë të pa përgatitura për t’u kundërvënë sfidantes kryesore të rendit të saj global, Kinës.
Kjo dobësi nuk është e rastësishme, apo pasojë vetëm e forcës së kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara, por rezultat i zgjedhjes së një grupimi të caktuar në pushtet, që ka privilegjuar interesat e veta mbi ato të kombit, dhe të cilat republikanët me Trumpin në krye mund dhe duhet që t’i përmbysin.
“Amerika e Para”, do të thotë se asnjë fis që jeton në shkretëtirë, asnjë kartel meksikan i drogës, asnjë këmbësori ruse apo Partia Komuniste Kineze, nuk mund të vënë në dyshim fuqinë dhe udhëheqjen e Amerikës në botë.
I pamëshirshëm është sot gjykimi ndaj punës së Biden, “paaftësia” e të cilit e ka zhytur botën në një nivel pasigurie të paparë më herët. N botë pa dyshim më të paqëndrueshme, dhe sipas fjalëve të vetë gjeneralit Kellogg “një botë në një situatë të rrezikshme, që nuk është parë kurrë që nga viti 1939”.
Sa i përket Ukrainës, rezultati i presidencës së demokratëve është po aq i dobët. Ajo akuzohet se nuk ka mundur të menaxhojë në asnjë moment konfliktin me Rusinë, as më parë dhe as tani që lufta në Ukrainë ka hyrë në një ngërç, dhe Uashingtoni duket i paaftë të propozojë një rrugëdalje.
Dhe kjo me rrethanën rënduese që lufta në Evropë, po e largon vëmendjen dhe energjinë e Uashingtonit nga problemi dhe kërcënimi kryesor që është Kina. Përtej propozimeve politike për zgjidhjen e krizave rajonale, zgjidhja që ofrojnë këshilltarët republikanë, është që SHBA-ja të rindërtojë sa më shpejt të jetë e mundur një nivel më të madh parandalimi dhe sigurie, që sot për sot e ka humbur./nga Leonardo Tirabasi, “Il Sussidiario”