Ish-kreu i shërbimit të inteligjencës greke EYP ka mohuar akuzat se agjencia shtetërore ka përdorur malware (program ose kod me qëllim të keq që është i dëmshëm për sistemet) të paligjshëm telefonik në 2019-2022 për të spiunuar objektivat, tregojnë dokumentet e gjykatës.
Kujtojmë se Greqia u zhyt në skandal në vitin 2022 pas akuzave të një lideri të partisë opozitare dhe një gazetari se ata kishin qenë nën mbikëqyrjen e shtetit nëpërmjet malware telefonik.
Akuzat, të bëra mes shqetësimeve në rritje në Bashkimin Evropian për përdorimin e malware, nxitën hetime gjyqësore dhe çuan në dorëheqjen e kreut të atëhershëm të EYP Panagiotis Kontoleon dhe sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit.
Gazetari Thanasis Koukakis paraqiti prova se telefoni i tij ishte infektuar nga malware Predator, i zhvilluar nga Cytrox, një kompani vëzhgimi brenda konsorciumit Intellexa me bazë në Greqi.
Gjurmët e Predatorit u gjetën në dhjetëra telefona, duke përfshirë politikanë dhe biznesmenë, sipas një autoriteti të pavarur.
Qeveria konservatore ka pranuar se ka monitoruar ligjërisht komunikimet e kreut të partisë Socialiste Nikos Androulakis. Ajo ka mohuar çdo keqbërje.
Kontoleon, shefi i EYP nga viti 2019 deri në vitin 2022, dëshmoi në seancat dëgjimore me dyer të mbyllura në maj si dëshmitar mbi çështjen që ka ngritur pikëpyetje për mbrojtjen e komunikimeve private në Greqi.
“Gjatë mandatit tim, unë jam kategorik në lidhje me këtë, EYP as nuk bleu, as nuk mori me qira apo përdori softuerin ilegal spiunues Predator,” u tha ai gjykatësve sipas dokumenteve të parë nga Reuters.
Qeveria tha në atë kohë se Kontoleon dha dorëheqjen “pas veprimeve të gabuara të gjetura gjatë procedurave të ligjshme të përgjimeve”. Ai nuk dha detaje të mëtejshme se cilat ishin ato veprime.
Kontoleoni dëshmoi se të gjitha kërkesat ishin plotësuar përpara se të bëhej ndonjë përgjim gjatë mandatit të tij dhe se çdo kërkesë e tillë duhet të autorizohet nga një prokuror.
Grigoris Dimitriadis, sekretari i përgjithshëm që dha dorëheqjen dhe që ishte mbikëqyrës politik i EYP-së në 2021-2022, gjithashtu dëshmoi se shërbimi nuk përdorte të tillë softueri.
Disa nga objektivat e EYP-së gjatë asaj periudhe përkonin me njerëzit, telefonat e të cilëve ishin të infektuar me Predator, thuhet në një raport të ekspertëve të përfshirë në dokumente.
Themeluesi i Intellexa, Tal Dilian, i cili dëshmoi në korrik, ka mohuar çdo përfshirje në këtë rast apo keqbërje.


