Vodafone Albania do të shtrenjtojë përsëri çmimin e paketave celulare me parapagesë dhe me kontratë, duke filluar nga data 1 korrik. Sipas njoftimit të kompanisë, çmimi për tre paketat kryesore me kontratë dhe me parapagesë do të rritet me 100 lekë për secilën.
Ky është viti i dytë radhazi që Vodafone Albania rrit çmimet e paketave mujore të komunikimit me parapagesë dhe kontratë. Rritja e çmimeve, në intervalin 100-200 lekë, u aplikua edhe vitin e kaluar, nga të dy operatorët, Vodafone dhe One.
Mes gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti, të dy operatorët kanë rritur gjithashtu çmimin e kartave SIM. Nga 200 lekë që ishte më parë, një kartë SIM e One Albania tashmë kushton 300 lekë, ndërsa një kartë SIM e Vodafone Albania kushton 500 lekë.
Pak apo aspak media publikojnë të dhënat për rritjen e çmimeve të kompanive telefonike. Vodafon dhe One paguajnë shuma të majme për reklamë në thuajse të gjithë median shqiptare. Kjo e bën të vështirë publikimin e fakteve më lart. Fatkeqësisht shqiptarët i paguajnë shtrenjtë celularët e bashkë me to edhe heshtje e medias që Vodafon dhe One e blejnë… po me lekët e shqiptarëve.


