Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij i është përgjigjur akuzave të opozitës për arrestimin e disa prej drejtorëve dhe ish zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës të përfshirë në abuzime me tendera me firmën “5D Konstruksion”.
Veliaj ka theksuar se as ai dhe as kryeministri Edi Rama s’kishin si ta dinin që drejtuesit e institucioneve ishin përfshirë në abuzime me detyrën.
” Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAK-u vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?
Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!”, u shreh ai
Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ai s’mund ti përgjojë si në komunizëm drejtorët e institucioneve, por është shprehur se ata do të përballen me drejtësinë pa mbrojtje nga institucioni. Duke folur për rolin e tij, Veliaj tha se gjatë ushtrimit të detyrës ai mund të ketë bërë gabime, por kurrë s’e ka përdorur firmën e tij për përfitime të jashtëligjshme.
“Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia”, tha Velaij


