Një dosje e bujshme është duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme dhe këtë të enjte konfirmohet zyrtarisht se SPAK ka bastisur zyrat e njerëzve të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe u ka sekuestruar kompjuterat. Bëhet fjalë për dosjen “5D”.
Kjo e fundit është quajtur kështu edhe për shkak të përfshirjes në të të pesë drejtorëve të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës, njerëz të besuar të kryebashkiakut socialist.
Gazetarja Klodiana Lala është shprehur mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” se ka mësuar të dhëna që janë mbajtur “top secret”, se SPAK ka regjistruar procedim penal dhe ka bastisur zyrat e drejtorëve të kallëzuar në organin e hetimit.
Blendi Fevziu: Cila është çështja më e fortë e korrupsionit që ka SPAK-u në dorë për momentin?
Klodiana Lala: Ka shumë!
Blendi Fevziu: Po më e madhja?
Klodiana Lala: Inceneratorët, “5D”-ja, që është po ashtu një çështje shumë shumë e madhe. Po ta jap lajm dhe po të them që në kompaninë “5D” para pak muajsh është ushtruar kontroll dhe janë marrë qindra dokumente. Është një lajm që nuk është publikuar asnjëherë më parë sepse ka qenë shumë e vështirë për t’u konfirmuar. Por ditën e sotme e kam konfirmuar zyrtarisht nga ana e Prokurorisë, atje janë marrë shumë kompjutera dhe të dhëna. Është mbajtur “top secret”.
Blendi Fevziu: Sot është e konfirmuar zyrtarisht?
Klodiana Lala: Është e konfirmuar. Ka patur një kontroll të detajuar dhe janë marrë bilance të kompanive për të gjithë procedurat tenderuese. Aty janë gjetur shumë të dhëna, se deri ku do shkojë përgjegjësia kjo mbetet për t’u parë sepse unë s’mund të paragjykoj.


