Agron Shehaj tregon sa deputetë do të marrë në zgjedhje dhe kush e financon

spot_img
Advertisements

Agron Shehaj i ka idetë e qarta se për çfarë po punon që të arrijë në zgjedhjet e ardhshme. Ai e di se për një vit, nuk bëhet dot as kryeministër dhe as forcë e madhe politike, por, sipas llogarive të tij, një vit është i mjaftueshëm që të përfaqësohet në parlament me një numër serioz mandatesh.

“Për një parti të sapokrijuar të fitosh zgjedhjet, do të thotë të krijosh një grup parlamentar ose t’i afrohesh krijimit të një grupi deputetsh. Do të ishte një rezultat i mirë, jo i shkëlqyer. Unë punoj për atë që dua të arrij, nuk ëndërroj, por punoj për atë rezultat.”, tha deputeti Agron Shehaj në emisionin “Pa Censurë”.

Një grup parlamentar, sipas Rregullores së Kuvendit, krijohet me të paktën 7 deputetë. Nëse nuk merr një rezultat të tillë apo të përafërt, Agron Shehaj thotë se do të largohet nga drejtimi i partisë.

“Shqipëria është i vetmi vend në botë ku kryetarët humbasin zgjedhjet dhe vazhdojnë qendrojnë. Në botë, kush humbet zgjedhjet ikën. Kështu që, nëse humbas zgjedhjet, po, do të largohem. Nëse zgjidhem vetëm unë dhe disa të tjerë është humbje zgjedhjesh”, u shpreh zoti Shehaj gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço në RTSH.

Ai ishte i drejtëpërdrejtë edhe për pyetjen se kush e financon lëvizjen e tij, që pritet ta shndërrojë në maj në një parti politike.

“Për momentin, financohet vetëm nga unë.”– tha Agron Shehaj, i cili, kur hyri në politikë në vitin 2017, ka deklaruar , 23 milionë euro pasuri në asete, pasuri e vendosur me biznesin e tij digjital jashtë Shqipërisë.

Me vetëdijen se politika kërkon shumë para, Agron Shehaj ka qartësinë se deri ku e ka limitin financimi i partisë.

“Duket sikur do të shkrij pasurinë time për lëvizjen, por jo nuk do ta bëj. Financimi është shumë i rëndësishëm për një parti politike, sepse kur flasim për korrupsion dhe një pushtet që korruptohet, korruptimi nuk nis kur merr pushtetin, por kur je financuar nga oligarkë apo nga financues të mëdhenj, pasi ato lekë që kanë hedhur, i duan mbrapsht.”, u shpreh Agron Shehaj, që përpiqet ta ndajë paranë nga suksesi në një fushatë elektorale.

“Ajo që unë dua të bëj,nuk është një lëvizje politike që si element kryesor ka mundëistë e mia financiare. Financat janë të rëndësishme në një parti politike, por nuk janë gjithçka. Dhe kushdo që mendon se mund të mundë Edi Ramën duke hedhur më shumë para se ai apo duke u bazuar mbi pushtetin financiar, e ka shumë gabim, sepse askush nuk ka më shumë para sesa Edi Rama.”, tha Agron Shehaj për emisionin “Pa Censurë”.

Latest articles

Related articles