INTERVISTA| Gjergj Hani: Ja plani i PD për të rivlerësuar të Përndjekurit Politik! Jemi 33 % e shoqërisë

spot_img
Advertisements

Gjergji Hani, një ish i burgosur politik, ka vuajtur në kurrizin tij e të familjes, përndjekjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, regjimit më të egër dhe kriminal që ka njohur ndonjëherë një shoqëri. Sot Gjergj Hani është sekretar për të Përndjekurit politik dhe antar i Kryesisë së PD, me cilin kemi realizuar një intervistë me 3 pyetje.

Kriza politike është ulur këmbëkryq në vënd prej kohësh. Si e lexoni ju, ku qëndron problem real I politikës ?

Do të duheshin net dimri për të dhënë një përgjigjie shteruese mbi pyetjen. Megjithatë do të përpiqem të përmbledh në sintezë këndvështrimin tim mbi të.

 Politika është pasqyrë e shoqërisë, dhe si e tillë rreflekton problematikat e ndërsjellta që konkretizohen në mardhëniet mes politikës e shoqërisë. Nuk është kriza politike që ka zaptuar vëndin. Kjo është shumë më tepër. Ky është tregues i qartë se nuk ka rënë vetëm politika, shteti apo drejtësia. Këtu ka rënë struktura shoqërore, apo thënë ndryshe, pakti etiko – moral që mundëson bashkëjetesën civile në një komunitet.

Lind pyetja se përse ndodhi kjo!? Përgjigjien e gjejmë në të shkuarën tonë të afërt, ku në bashkpunim, të gjithë bashkë gatuam këtë rrealitet që po përjetojmë. Me këtë nuk dua të them se cdo individ mori pjesë aktive në ndërtimin e këtij rrealiteti shtypës, por me heshtjen e tyre lejuan që kjo të ndodhte, e ja ku jemi.

Nga e shkuara e diktaturës, ne trashëguam distopinë e koncepteve, pasi për më shumë se 40 vjet na thuhesh me cdo mjet e mënyrë se; skllavëria është liri, varfëria është mirqënie e dhuna është drejtësi. Me pak fjalë ne përjetuam atë që Orwell përshkroi në mënyrë magjistrale në romanin e tij 1984. Ndryshimet e rendit botëror, që ndodhën në vitet ’90 na gjetën të papërgatitur, pasi në thelb, shoqëria shqiptare nuk njihte se c’ishte liria duke e ngatërruar atë me një lloj anarkie që mundësonte cdo gjë. Të gjitha qëniet njerzore janë konservatore, pasi bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, e klasa politike që mori në dorë fatet e vëndit pas vitit ’91, ishte e lindur e rritur në diktaturë e natyrshëm që do të përdorte të njëjtat metoda për të kontrolluar shoqërinë. Thjesht miku im, nuk njihnin mënyrë tjetër qeverisjeje. Pra, në këndvështrimin tim problemi i rrënimit politiko – social të vëndit qëndron tek qasja jonë ndaj së vërtetës, e asaj që ne quajmë të vërtetë e që gjithmonë e gjejmë të përmbysur. Në rastin kur nuk mund ta mohojmë dot, e lemë atë në heshtje, duke i mohuar hapsirën e nevojshme që ajo të konkretizohet në vetëdijen kolektive.

Është pikërisht ky paradoksi që ka ndodhur e po ndodh me të vërtetat e krimeve të komunizmit e jo vetëm. Ne nuk arrijmë, nuk duam e rrefuzojmë, të dokumentojmë pa interpretime ideologjike gjith sa ka ndodhur me jetët tona. Ne jemi e vetmja shoqëri që përmend krimet e komunizmit pa identifikuar asnjë kriminel përvec Hoxhes që nuk ka vrarë as edhe një njeri të vetëm me dorën e tij.

Pra, në dritën e sa thashë më lart, shkaqet e këtij ngërci kriminal të politikës, duhen kërkuar në pavetëdijen e shoqërisë që pranon, mbështet e mitizon kultin e individit që gjithmonë është i prirur nga diktati që rrëshqet në diktaturë.

Kjo krizë e pashembullt e shoqërisë dhe kastës politike që kjo shoqëri ka prodhuar, nuk shtron për zgjidhje fundin e tranzicionit, por fillimin e tij. Pasi deri më sot ne kemi jetuar nën një pushtet diktatorial që kishte ndërtuar vetëm dekorin e një fasade demokratike, mbështetur në aplikime shabllon të mekanizmave të funksionimit të demokracisë, të huazuara nga modelet perëndimore. E gjitha kjo, duke anashkaluar faktin që, perëndimit ju deshën shekuj per të përshkuar rrugën e gjatë që nis nga shoqëria që prodhoi Magna Carta, e deri në ditët e sotme. Demokracia nuk është sistem miku im. E duke mos qenë e tillë nuk mund të aplikohet në shoqëri të caktuara ashtu sic bëhet me një pjesë këmbimi. Demokracia është ekspresion i shkallës evolutive, që individët e një shoqërie të caktuar kanë arritur gjatë rrugëtimit të tyre historik, duke ju referuar ndershmërisht së vërtetavë e eksperiencës që ajo mbart.

Për aq kohë sa ne, do të vazhdojmë ti referohemi vullnetit të individëve, e jo ideve e koncepteve se si ndërtohet një shoqëri demokratike e funksionale, po aq kohë do të vazhdojmë të jetojmë ferrin e padrejtësisë e dhimbjes, ashtu si Meduza e mitologjisë që hëngri pjellën e saj.

Si mund të dekomunistizohet vërtet Shqipëria, për tu bërë më humane e më kombëtare ?

Si princip, apo në rrafshin teorik, më duhet të them se komunizmi ishte dhe është një alternativë. E meqenëse jetojmë në një univers dual, ka gjithmonë një alternativë tjetër që e kundërshton atë, e ky është konservatorizmi . Si e kundërt e komunizmit, nuk bazohet në ideologji demagogjike, por në filozofi jete të përfituar nga eksperienca jetësore e popujve, që në mijëra vjet u kanë dhënë përgjigjie problemeve sociale që koha shtronte për zgjidhje.

Në planin praktik, them se është cështje vetëdije e vullneti që duhet të gjejë mishërimin, në trysninë që duhet të ushtrojë shoqëria dhe elita e saj intelektuale, mbi klasën politike që tashmë komunizmin nuk e sheh më si filozofi e Materializmit Dialektik te Marksit, por si materializëm i aplikuar i shoqërisë së konsumit, që së pari konsumon njeriun dhe vlerat që ai mbart, duke prodhuar kështu shëmtinë e dhunëshme të kësaj klase politike që i ka shitur shpirtin Djallit. Ndaj, si cështje vullneti e principi, në programin e sekretariatit të të përndjekurve politikë të PDSH kam kërkuar që cdo eksponent politik i PDSH të pajiset me certifikatën e pastërtisë së figurës. Certifikatë që duhet të merret rishtaz nga IDSSH. Mbetet për tu parë nëse propozimi im do të merret parasysh, apo sic ka ndodhur rëndom, do të lihet në heshtje për tu varrosur më pas në harresë.

Gjithsesi, nuk besoj se dekomunistizimi është thjesht një cështje proceduriale që mund të zgjidhet me një rezolutë partiake apo certifikatë figure. Jam i mendimit dhe mbështes idenë së shqiptarët duhet të gjejnë kurajon për ti parë në sy e pranuar të vërtetat e së shkuarës, e së tashmes, në mënyrë që të mos mbeten peng i së shkuarës që vazhdon të projektojë të tashmen e të ardhmen e tyre. Por këto të vërteta duhen thënë e shkruar në mënyrë që kjo shoqëri e traumatizuar të arrijë të bëjë katarsis e të gjejë paqë me vehten.

Natyrisht që të gjitha këto nuk mund të bien nga qielli. Është e nevojshme që një forcë politike të gjejë kurajon e ti shtrojë për zgjidhje këto probleme egzistenciale që do të jenë gjithmonë prezente në jetët tona, për aq kohë sa nuk do të përballemi me to.

Nuk mund të bëjmë gjitmonë të njëjtat zgjedhje e të presim rezultate të ndryshme.

A do të jetë PDSH ajo forcë politike që do të na fusë realisht në rrugën e tranzicionit duke u mbështetur tek të vërteta e mohuara deri më sot ? A do të jetë e aftë të jetësojë një alternativë reformuese që do ta bëjë Shqipërinë një vënd më human e më të jetueshëm për shqiptarët ? Nuk e di. Dëshiroj të jetë kështu, por nuk e di. Do të di ta them, pasi të kem parë programin e saj, që dikush (e nuk e di se kush) ka hartuar, e që dikush tjetër pritet ta vlerësojë. Për momentin PDSH vazhdon të jetë në fazë ristrukturimi mes së shkuarës që refuzon të vdesë e së ardhmes që vonon të vijë.

Cila është platforma e PDSH për të përndjekurit politikë ? Si do të ndërtoni mardhëniet e besimit me këtë kategori që i ka dhënë aq shumë vëndit ?

Ashtu sic thashë edhe pak më lart, nuk e di se c’përmban programi i PDSH për sa i përket të përndjekurve politikë. Në cilësinë e sekretarit të Departamentit për të Përndjekurit Politikë, në bashkpunim me grupin e interesit kam hartuar një plan pune e objektivash që PDSH duhet të marrë përsipër e ti realizojë në favor të kësaj shtrese të margjinalizuar keqazi nga politikat e diktatit të këtyre 33 viteve të fundit.  Ndonëse programin e plotë të departamentit mund ta gjeni në faqen time të FB, sërish po ju sjell disa pika që i konsideroj të panegociueshme për sa i përket të përndjekurve politikë.

 Së pari do të thosha që është rishkrimi i historisë së diktaturës, gjë e cila duhet bërë në baza shkencore e arkivore, duke sjellë në vëmëndje të shoqërisë e të teksteve shkollore gjithë sa ka ndodhur në 50 vitet e sundimit të komunizmit.

Së dyti programi synon të arrijë rivlerësimin e dëmshpërblimit të burgosurve politikë duke u nisur jo vetëm nga ditët e kaluara në burg, por edhe nga vëllimi i punës së papaguar që këta të burgosur kanë kryer ndër vitë nën trysninë e terrorrit komunist. Gjithashtu është në objektivat e këtij departamenti, pajisja me një status të vecantë për gjithë të burgosurit e të internuarit politikë gjatë diktaturës. Status i cili do të ketë ndikim në njohjen e dhënien e një pensioni të posacëm për këtë kategori të harruar të shoqërisë.

Për të vazhduar do të thosha që synojmë edhe dekomunistizimin e partisë nga komunistë e bashkëpuntorët e Sigurimit, ndërtimin e një memoriali për të përkujtuar viktimat, të një muzeu etj.

Ndonëse personalisht nuk e shoh cështjen e persekutimit e të persekutuarve si hambar elektoral, por si detyrim moral që politika e shoqëria i ka kësaj shtrese dhe së vërtetës, gjithsesi nuk mund të mohojmë peshën specifike të kësaj shtrese që përbën rreth 33% të shoqërisë, po të kemi parasysh dhe brezin e sotshëm të kësaj shtrese, që kurrsesi nuk e harron të shkuarën e saj. Ndaj PDSH, përtej rindërtimit të identitetit te saj politik, ngjyrat më të forta të të cilit përfaqësohen nga kjo shtresë, nuk mund të injorojë forcën elektorale të kësaj shtrese, nëse synon të vijë në pushtet e të bëjë diferencën duke sjellë një alternativë të besueshme për shqiptarët e stërlodhur nga ky mashtrim 33 vjecar.

Gjergj Hani

spot_img

Latest articles

Related articles