Avokati Spartak Ngjela në një lidhje ‘skype’ për “Frontline Interview” me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugë marrëveshjes me Italinë për ngritjen e një qendre strehimi për emigrantët afrikanë në Gjadër të Lezhës.
Ngjela parashtroi edhe disa prej masave që qeveria duhet të ndërmarrë para mbërritjes së refugjatëve në qendrën e strehimit të Gjadrit, ku ndër to ishte edhe nevoja për krijimin e një spitali provizor.
“Si kryeministër nuk ke të drejtë të japësh teritor gratis qoftë edhe një vit një shteti tjetër që do të sjellë refugjatë. A je i sigurt ti që me këta refugjatë nuk vijnë sëmundje që nuk njihen fare në Shqipëri? A ka krijuar një spital provizor atje për analizat? A ka qeveria një siguri që këtu nuk hyjnë sëmundjet e rrezikshme që janë në Afrikë apo Azi? Këto duhen parë.”- nënvizoi avokati.
Në vendimin e dhënë nga gjykata Kushtetuese më 29 nëntor, theksohet se marrëveshja me Italinë nuk cënon integritetin territorial të vendit dhe si e tillë, nuk është anti-kushtetuese. Vendimi tashmë i hap rrugë votimit të marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen me kohëzgjatje 5 vjeçare për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër