Bruna Çifligu: Duhet ngjallur besimi, ose shqiptarët do vazhdojnë të komandohen nga “dinozaurët” e tranzicionit

spot_img

Intervistoi: Reldar Dedaj 

Me Bruna Çifligun në këtë intervistë për Liberale.al kemi folur për shumë tema që mendojmë se prekin interesat e qytetarit, duke filluar nga politika në përgjithësi, deri tek televizioni dhe programet televizive. Ajo ka një karrierë të gjatë në televizion. Ka intervistuar me qindra personazhe. Ka mbaruar studimet në “Universitetin Aristoteli” në Selanik. Ka pasion reportazhin dhe dokumentarin. Për këto dhe shumë arsye të tjera vendosëm që në rreshtat që vijojnë, turbullirat e ndryshme nuk do t’i trajtojmë si ca dosje të shkëputura, e as në mënyrë sistematike. Ecuria jonë do të jetë më tepër si ecuria e dy vegjeluesve nate në një kopsht, të nesërmen e stuhisë, ndërkohë që paralajmërohet një stuhi tjetër.

Liberale.al: Klasa politike shqiptare, reflekton referencat kulturore të vendit?

Kjo pyetje më sjell patjetër ndërmend thënien e famshme “Çdo popull ka qeverinë që meriton”, nuk e dija, por është e Joseph de Maestres. Në përgjithësi marrëdhënia mes kulturës së elitës politike të një vendi dhe kulturës së popullit mund të jetë komplekse dhe ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë kjo ka specifikat e veta, po të kemi parasysh të kaluarën historike të vendit tonë. Historia jonë politike, kryesisht periudha nën regjimin komunist formësoi si elitën ashtu dhe kulturën e përgjithshme. Kalimi pastaj në një sistem demokratik, ndikoi në shprehjet kulturore, por shkëputja nga rrënjët u arrit me shumë vështirësi, gjë që reflektohet edhe sot. Dallimet ekonomike mund të krijojnë ndryshime në mënyrën e jetës dhe të vlerave mes elitës dhe popullatës. Elita shpesh ka qasje në burime dhe mundësi që nuk janë të disponueshme për qytetarin e thjeshtë. Pra në tërësi, kultura e elitës politike mund të mos përfaqësojë plotësisht kulturën e popullatës, për shkak të ndryshimeve në kontekstin historik, statusi ekonomik, paraqitja në media apo dhe globalizimi dhe ndikimet e jashtme, etj.

Liberale.al: Peizazhi politik i viteve të fundit në Shqipëri ka zbuluar disa emra të rinj, edhe në moshë, si alternativë përballë forcave tradicionale të pushtetit, sipas jush, nëse për një moment vendos dhe hedh shikimin nga ata, ju duket kjo që shihni, një pamje e plotë?

Kjo është një temë që për mua meriton shumë kohë dhe vëmendje për t’u trajtuar dhe analizuar. A  ka pasur emra të rinj, alternativa të reja në Shqipëri përgjatë këtyre tre dekadave përveç dy partive më të mëdha tradicionale që janë skalitur në skakierën politike shqiptare? Sigurisht që po dhe shumë madje. Po të rikthehemi pas në kohë, por dhe në këtë peizazh politik që po përjetojmë, kemi dëgjuar me dhjetëra alternativa, ide, lëvizje, parti, programe, bindje…disa prej tyre kanë arritur të mbijetojnë, shumë të tjera janë “shuar”, aq sa, askush nuk i mban mend çfarë ishin dhe kush i solli ato. Pyetja është përse ndodh kjo? Përse nuk mbijetojnë? Çështja është të kenë përfaqësim në parlament, jo thjesht të kenë emrin e regjistruar në gjykatë si partia apo lëvizja më e re e krijuar në Shqipëri. Krijuesit apo ideuesit e këtyre alternativave shfajësohen me të drejtë apo jo, me faktin se është sistemi elektoral që nuk i lejon ata të depërtojnë e të “rrëmbejnë” votat e elektoratit. Ata fajësojnë dy partitë “dinozaur” që kanë hartuar një kod sipas interesave të tyre duke lënë jashtë njëherë e përgjithmonë “krijesat” e reja. Politikisht kjo mund të jetë korrekte, por unë përveç kësaj problemin e shoh gjetkë, dua të shoh diku tjetër. E lëmë kodin “shfarosës” ndaj të “resë”… Pyetja tjetër është çfarë është kjo “e reja”? Krizë alternativash apo krizë morali? Pra, problemi është tek alternativet e vakëta që kanë buçitur ndër vite nëpër ekranet televizive apo tek apatia e popullit? Mosbesimi që është “çimentuar” tek ai, aq sa nuk i intereson më kushdo qoftë kjo alternativë. Mendoj se kjo e dyta, është fatkeqësi. Nëse nuk ekziston shpresa, fryma, besimi atëherë do të jemi të “ngërthyer” nga  darët e “dinozaurëve” të mëdhenj të cilët kanë në dorë fatin e popullit për më shumë se tre dekada tashmë. Pasoja e kësaj të cilën do ta quaja krizë shoqërore është largimi nga vendi, shpopullimi që po kthehet në një plagë gati ulëritëse e që duhet të kthehet në emergjencë. Mendoj se problemi nuk çalon tek emrat dhe alternativat që ata sjellin që mund të jenë më të përkryerat, por tek zbërthimi i krizës morale.

Liberale.al: Në këndvështrimin tuaj, ku pjesa më e madhe e partive opozitare në vend, kryetarët e tyre i kanë subjekte të drejtësisë së re, mund të konsiderohen alternativë pushteti?

Mendoj se këto alternativa përveç këtij “halli” të madh që kanë me drejtësinë, tashmë kanë vënë në peshore dhe pëlqyeshmërinë dhe mbështetjen në elektorat. Kjo nuk ka lidhje me drejtësinë, por me konsumizmin, “mëkatet” politike, moralin, vjetërsinë, frymën që përçojnë, besimin që përcjellin, idetë që transmetojnë, lidershipin që kanë brumosur. Fatkeqësisht nuk po dalim dot nga kjo “humnerë” politike për të ndjekur shembullin e fqinjëve tanë Greqisë apo dhe të Kosovës.

Liberale.al: Krahasuar me vendet e tjera të ish-Lindjes, Shqipëria, është vendi i vetëm që ka konservuar jo vetëm partitë e tranzicionit, por edhe klasën politike që u prodhua nga rënia e totalitarizmit. A mund të na thoni diçka, se pse ka ndodhur kjo?

Mendoj se konservimi lidhet me faktin se figura të tilla përçojnë një ndjenjë stabiliteti, vazhdimësie tek një popull që pasi ka jetuar nën çatinë e një regjimi totalitar, shembi murin, por e mbajti çatinë, sepse kishte pasiguri, frikë. Elita politike që doli pas regjimit mund të ketë vendosur kontroll mbi institucionet kyçe, me rrjetet dhe burimet e tyre mund të kenë qenë në gjendje të përfitojnë nga këto ndryshime duke pasur avantazh ndaj ideve të reja. Jo vetëm kaq, por dhe elitat pas-totalitare u panë si partnerë të favorshëm nga lojtarët ndërkombëtarë. Por dhe natyra e sistemit zgjedhor. Nëse elektorati ka për tendencë të votojë emra të njohur që ngjallin stabilitet, siç u shpreha më lart, kjo ndihmon më shumë në zgjatjen e status-quosë së kësaj klase politike.

Liberale.al: Keni një karrierë të gjatë në televizion, studimet i keni mbaruar për Gazetari dhe Komunikim në Selanik dhe aktualisht drejtoni një emision në A2 CNN. Thënë shkurt, pyetja jonë është kjo: Çfarë mendimi keni për “televizionin” në Shqipëri?

Në shoqërinë tonë, roli i televizionit, mendoj se ka një ngarkesë të madhe. Madje, jo vetëm kaq, por një program televiziv mund të shihet si e vërteta më e madhe. Një lajm, një video mund të “shitet” si e vërteta absolute. Fiksimi pas ekranit të televizorit që ka mbetur që nga koha e regjimit, për shkak se ka pasur veç një kanal, RTSH, ka vijuar të jetë “një mani” për vite e vite me radhë derisa nisi lindja dhe lëvrimi në masë i rrjeteve sociale. Duke qenë “i vetmi”, televizioni ka luajtur një rol të rëndësishëm  në ndryshimin e mentaliteteve, ka formësuar e ka sjellë modele e produkte për t’u admiruar por dhe e kundërta fatkeqësisht. Komercialiteti i televizioneve ka prodhuar programe të niveleve të ulëta që thjesht ndihmojnë në degradimin e perceptimit të publikut që i sheh. Por me kalimin e viteve, e kryesisht në epokën që po jetojmë fiksimi për ekranin, po shndërrohet në fiksim e mani për klikime, garë për audiencë.  Më kujton filmin kult të viteve ‘70 “ A vriten dhe kuajt kështu” “They shoot horses, don’t they” të Sidney Pollak. Film për mbijetesën në Kohën e Depresionit të madh. Çifte në garë vdekjeprurëse kërcimi për para. Njëjtë dhe në kohën e sotme garë të frikshme për klikime. Përderisa në Shqipëri ende nuk ka matësa audience profesionale, siç ekzistojnë në vende të tjera, atëherë klikimet po shihen si një lloj matësi nëpër platformat sociale që janë thjesht burim të ardhurash dhe aspak matës të një produkti cilësisht të mirë.

Liberale.al: Në kohën e lirë, a mund të na tregoni ju lutem, se cilin nga kolegët apo koleget ndiqni më shumë?

Kam një fashë programi në strukturën informative të televizionit që është shumë dinamike me të ftuar e biseda nga tema nga më të ndryshmet, përcjelljen e zhvillimeve të ditës me lidhje me gazetarë etj, thënë këtë, do doja ta ndryshoja tërësisht panoramën e mbrëmjes sime. Por për shkak të punës, me duhet edhe ta ndjek televizionin, nuk mund të shkëputëm prej tij kur mbaroj orarin. Ndjek në përgjithësi, lajme, emisione të ndryshme, kryesisht politikë.

Liberale.al: Cila është korniza profesionale, sipas jush, e një gazetari që drejton një emision mbi aktualitetin?

Kornizën profesionale të një gazetari që bën apo drejton një emision mbi aktualitetin, mendoj se e gjejmë sot në shumë ekrane shqiptare, të vjetër profesionalisht por dhe të rinj. Por shqetësimi mbetet gjetkë. Kur fola për televizionin, shpreha shqetësimin e garës së klikimeve, e “rrëmbimit” të audiencës e prodhimit të një produkti që thjesht “shitet”, por pa parë pikësëpari përmbajtjen e tij. Pikërisht kjo, kam frikë se po zhbën profesionalizimin e gazetarit apo moderatorit. Korniza profesionale është e qartë në teori dhe në praktikë, nëse nuk do jetonim në epokën mbytëse të komercializmit, apo dhe garës për klikime: etikë, cilësi, qartësi, komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.

Liberale.al: Pse kaq shumë politikë në ekran?

Kjo është një pyetje që edhe ne njerëzit e televizionit e bëjmë shpesh. Emisionet me debate politike kanë evoluar dhe në interes të publikut. A i pëlqejnë publikut emisionet politike? Përgjigja rezulton të jetë, po, përderisa çdo televizion gjeneralist apo informativ ka një emision politik në mbrëmje, por jo vetëm. Emisionet politike po shtohen si kërpudhat pas shiut edhe në drekë e pasdite. Politika fatkeqësisht po shitet akoma si ushqim për masën dhe po u sërviret si një produkt ku shpesh përfitojnë edhe politikanë pasi “gllabërojnë” kohën televizive dhe bëjnë propagandë politike falas. Dy vitet e fundit situata në partinë më të madhe opozitare në vend shërbeu kryekëput si menyja kryesore e çdo darke në shtëpinë e çdo shqiptari. Propaganda mediatike e qëndisur në formë të atillë ndjellëse e tipit “ Çfarë do të ndodhë në PD”, bëri që në çdo shtëpi telekomanda të fiksohej tek këto emisione.

Liberale.al: Krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria, duket se ka numrin më të vogël të mediave të specializuara. Askush nuk flet veçanërisht për modën, ushqimin, bujqësinë, kulinarinë etj. Pse ndodh kjo?

Disa arsye i citova dhe më sipër. Tashme është e ngushtë lidhja apo binomi emision-klikim.  Sensacioni, debati i fortë e deri në agresivitet e sharje tërheq më shumë. Ky është produkti që shpërndahet e ky është ushqimi që po konsumohet. Ky nuk besoj se është një problem shqiptar, por global. Sigurisht që ka emisione kushtuar temave të tilla jetike në televizione të caktuara një prej të cilave të televizionit ku unë punoj.

Liberale.al: Gazetaria edhe pas 10 vitesh, do vazhdojë të jetë profesioni juaj?

Unë shpresoj dhe uroj që po. Gazetaria, televizioni, moderimi, komunikimi me publikun përmes kamerës është pasioni im dhe puna që kam bërë që kur e kam nisur atë para 17 vitesh. Por jo vetëm, dokumentarët apo reportazhet janë një zhanër që do doja t’i përkushtohesha në një të ardhme, kur ndoshta kamera nuk do të më ketë më në objektivin e saj./Liberale.al/

Latest articles

Related articles