Nënkryetari i Partisë Demokratike, deputeti Kreshnik Çollaku reagoi sot ndaj ngjarjeve në kryesinë e Kuvendit, ku pati përplasje të deputetëve të përjashtuar të opozitës të cilët kërkuan të hyjnë në mjediset e Kryesisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Çollaku u shpreh se “një opozitë që kacavirret nëpër dritaret e parlamentit është fiks opozita që i duhet Edi Ramës”.
Sipas tij, një opozitë që mbledh me shpejtësi refuzim qytetar, që për karriket e ofiqet e veta përmbys parlamentin, është opozita që i duhet Ramës.
“Një opozitë e tillë nuk është opozita që përmbys Ramën po që i fal atij mandatin e katërt”, shtoi Çollaku duke komentuar se ky është krim ndaj demokratëve dhe rithemelimsave e ndaj Shqipërisë.
“Ndaleni këtë marrëzi, përfituesi i vetëm i dhunës në parlament është Edi Rama, humbësi i vetëm prej dhunë në parlament është opozitarizmi”, përfundoi Çollaku.