Një pjesë e Opozitës vazhdon cirkun parlamentar, Edi Rama vazhdon i qetë!

spot_img

Nga REY Shehu

PD do të shkojë në Strasburg aq sa shkoi Berisha në Paris kundër Sekretarit Blinken. Kursi politik që ndjek sot grupimi më i madh i deputetëve të kampit opozitar, është në vend numëro! Berisha përdor të njëjtën retorikë të 30 viteve pasi kjo, është e vetmja gjë që ai di të bëjë. Realiteti politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë, nuk është më ai i fillim viteve 90-të!

Opozita nëse kërkon të prodhojë politikë reale dhe të bëhet konkuruese në skenën politike, duhet të prodhojë elementë të rinj të cilët nuk mbajnë mbi supe “dështimet” apo thënë teknikisht kredon politike të elitës së vjetër. Opozita, duhet të prodhojë:

  1. alternativë qeverisëse (qeverija hije), e cila punon paralelisht në hartimin e programit politik dhe në përcaktimin e individëve të caktuar të cilët do të merren me çështje të caktuara (ekonomia, politika e brendshme, politika e jashtme, turizmi etj).
  2. Të përcaktojë disa piketa të përbashkëta politike për të unifikuar të gjithë palët drejt një aksioni të përbashkët qofshin ata që nga politikanët deri tek shoqëria civile.

Të uzurposh foltoren e parlamentit, është veprim demode dhe primitiv. Veprim të cilin Berisha, e ka bërë rutinë pasi ai, kërkon protagonizëm dhe pse koha e tij ka skaduar prej vitesh. E vetmja gjë e mirë që doli nga skizma e PD-së, është se të paktën ka disa individë të cilët kundërshtojnë Berishën dhe Berishizmin si fenomen politik.

Ndërkohë që një pjesë e Opozitës vazhdon cirkun parlamentar, Edi Rama vazhdon i qetë, rrit kredencialet politike përpara ndërkombëtarëve, bën PR-in mbi arritjet që ka bër vendi gjatë qeverisë së tij dhe dërrmon në zgjedhje të gjithë forcat e tjera politike. Me qetësinë absolute, ai siguron pushtetin dhe as që i bëhet vonë fare se në cilin vagon të trenit është Berisha apo të tjerët që rendin pas tij. Militantët nga ana tjetër do vazhdojnë të zihen për parti dhe pse jeta e tyre është në skamje totale. Realitet i hidhur!

Me këto ritme, gëc-mëce brenda Opozitës, përgjumjes së deputetëve, karagjozllëkut politik me bojkote, uzurpime dhe protesta pa kuptim të cilat më tepër ndjellin neveri dhe acarim sesa shpresë dhe aksion tek qytetari, Edi Rama dhe socialistët, do të ecin përpara pa e kthyer kokën mbrapa drejt zgjedhjeve të vitit 2025… madje dhe më tej.

Latest articles

Related articles