Udhëheqësi kinez Xi Jinping priti sot në një takim delegacionin e senatorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Pekin në një përpjekje të mundshme për të afruar të dy vendet.
“Marrëdhënia Kinë-SHBA është marrëdhënia dypalëshe më e rëndësishme në botë”, i tha Xi grupit të udhëhequr nga udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan, Chuck Schumer.
“Për Kinën ka qenë gjithmonë e qartë se interesat e përbashkëta të dy vendeve i tejkalojnë dallimet e tyre”, tha Xi.
Më herët, zyrtarët amerikanë biseduan edhe me kryediplomatin kinez Wang Yi.
“Shpresoj se kjo vizitë do ta ndihmojë SHBA-në ta shohë Kinën në një mënyrë më objektive dhe t’i kthejë marrëdhëniet Kinë-SHBA në rrugën e zhvillimit të shëndoshë”, tha Wang.
Më herët Schumer tha se SHBA-ja dëshiron stabilitet dhe drejtësi dhe jo një shkëputje ekonomike me Kinën.
“Por Kina duhet gjithashtu të sigurojë një mundësi të barabartë për kompanitë dhe punëtorët amerikanë”, shtoi senatori.
Schumer, një demokrat, kritikoi gjithashtu dështimin e Kinës për të dënuar sulmin e përgjakshëm të grupit militant islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit, i cili shkaktoi vdekjen e qindra personave.
Në një deklaratë për konfliktin, Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës nuk shprehu keqardhje apo mbështetje për Izraelin, përkundrazi u bëri thirrje të gjitha palëve “që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të ndalojnë menjëherë zjarrin , të mbrojnë civilët dhe të sigurojnë që situata të mos përkeqësohet më tej”.