I Ngarkuari me Punë i SHBA David Wisner u takua me Nën-Kryetaren Dhurata Çupi të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike, dhe të Drejtat e Njeriut. Në postimin e Ambasadës konfirmohet qëndrimi i SHBA mbi nevojën për të cuar përpara procesin e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit. Gjithashtu, Ambasada rithekson rëndësinë që ka shumica dhe opozita në një demokraci. I ngarkuari me punë ka vënë theksin tek natyra kritike e përpjekjeve të Shqipërisë për reformën në drejtësi.
Postimi i plotë i Ambasadës Amerikane:
🇦🇱 Për të diskutuar përparësitë legjislative të Kuvendit, I Ngarkuari me Punë i SHBA David Wisner u takua me Kryetaren Klotilda Bushka dhe Nën-Kryetaren Dhurata Çupi të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike, dhe të Drejtat e Njeriut sot pasdite. Ata ranë dakord për rëndësinë e posteve kyçe si ai i Avokatit të Popullit, natyrën kritike të përpjekjeve të Shqipërisë për reformën në drejtësi, si dhe rolin që shumica dhe opozita luajnë në një demokraci të shëndetshme.


