LITA në Faxnews: McGonigal, bashkëpunëtor i drejtësisë së SHBA. SPAK të kërkojë dosjen e tij

Ish-agjenti i FBI, Charles McGonigal pranoi fajësinë dje për sa i përket dosjes shqiptare. Ai pranoi se ishte paguar për të dëmtuar një figurë politike në Shqipëri që ishte kundërshtar me Edi Ramën kryeministër.

Për të folur për këtë çështje i ftuar në një lidhje Skype me gazetaren Rovena Neziri ishte analisti dhe drejtori i Faktor.al, Lavdrim Lita.

Lita u shpreh se nga kjo marrëveshje e fshehtë mes Ramës dhe McGonigal kryeministri shqiptar ka përfituar shumë në kurriz të imazhit të Shqipërisë. Ai është fuqizuar duke marrë edhe mandatin e tretë në një kohë kur vendi është i zhytur në krim dhe korrupsion. Kjo aferë i hedh poshtë fjalimet e Ramës kur akuzonte opozitën që bashkëpunonte me Rusinë në dëm të Shqipërisë.

Lavdrim Lita: “Qeveria shqiptare ka përfituar sepse është në pushtet. Ajo ka bërë veprimtari antikombëtare duke paguar para apo duke stimuluar pagesa në Amerikë për të dëmtuar kryetarin e opozitës, që ishte atëherë Lulzim Basha. Çështja McGonigal në fakt e pastron figurën e Bashës dhe e nxin figurën e Ramës si papagall i fjalimeve “alla Rubla”. Ju e mbani mend që “Rubla Rubla” në Kuvend ishin të sinkronizuar me spekullantin e FBI. Po ashtu edhe zoti Berisha ka qenë i sinkronizuar me Ramën edhe me këtë spekullant për të dëmtuar Lulzim Bashën, kur i është dashur. Basha nuk kishte lidhje fare me këtë çështje, edhe sipas një shkrimi sot të “New York Times”, ku thuhej që edhe pse FBI kishte kryer hetime për lobistin e tij, nuk kishte asnjë fakt apo asnjë ngjarje në këtë marrëdhënie”, u shpreh Lita.

Sipas Litës, Rama duhet të japë shpjegime se pse u angazhua fuqimisht në një aferë të tillë për të dëmtuar vendin dhe opozitën shqiptare. Rama, që nga 2017, ka deformuar marrëdhënien e PD-së me opozitën duke e futur në atë që Lita e quan, “prizëm konfliktual”.

Lavdrim Lita: “Rama duhet të japi shpjegime se pse u angazhua me zë e me figurë edhe me financime kundër opozitës së vendit të tij në kombinacione jashtë atdheut. Pse e ka sharë Shqipërinë dhe opozitën e vendit të tij në gjuhë të huaj. Në fakt ai duhet të hetohet për këtë skandal nga autoritetet shqiptare për këtë operacion të shkatërirmit të imazhit të Shqipërisë në anglisht. Duhet të kuptojmë që kur ti etiketon opozitën e vendit tënd si pro ruse, si anti-shqiptare, ti në fakt dëmton edhe vendin tënd. Sidomos kur kjo gjë nuk është e vërtetë. Ka deformuar që nga 2017 kur ka kontaktuar McGonigal deri në 2023 të gjithë marrëdhëniet e PD-së me SHBA dhe i ka futur në një prizëm konfliktual, pra për këto arsye ai duhet të mbajë përgjegjësi deri edhe në përgjegjësi politike duke dhënë dorëheqjen, por në Shqipëri këto lloj dorëheqjesh nuk njihen”, tha Lita.

Për Litën “dosja McGonigal duhet të vijë edhe në Shqipëri dhe SPAK duhet të fillojë hetimet, për Ramën por edhe për përfaqësues të opozitës që mund të jenë përfshirë në këtë aferë. Imazhi i Shqipërisë është dëmtuar rëndë dhe është e nevojshme vënia në vend e drejtësisë.

Lavdrim Lita: “McGonigal ka pranuar fajësinë për të gjithë dosjen shqiptare, edhe pse gjykata amerikane ka vlerësuar se ai është tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë amerikane dhe për këto arsye do të dënohet me një dënim minimal duke qenë se ka pranuar fajin, 6 muaj deri në 2 vite.

Ai ka thyer ligjet e SHBA dhe po dënohet në SHBA por dëmin e ka bërë në Shqipëri dhe për këto arsye dhe SPAK duhet ta vazhdojë hetimin, sepse vendit i ka kushtuar rëndë dhe i ka ngjitur vendit një qeveri me 3 mandate korruptive, ku korrupsioni dhe paprekshëmria e krimit ka arritur në kulm. SHBA është aleatja më e madhe e Shqipërisë, duhet të na dhurojë atë dosje, dosjen McGonigal për të parë ne, cilat janë prapaskenat kriminale, cilët janë individët qoftë edhe të opozitës që kanë bashkëpunuar me McGonigal për të dëmtuar Lulzim Bashën apo Partinë Demokratike që ishte partia më e madhe e opozitës. Kjo do ta pastronte imazhin e Shqipërisë, imazhin e FBI, sepse nuk mund të qëndrojë një agjent i korruptuar që ka njollosur dy vende. Raportet e SHBA me Shqipërinë nuk varen nga ryshfetet e agjentit të korruptuar në Amerikë. Duhet të kërkojmë drejtësi edhe në Shqipëri. SPAK ka një rol të veçantë për të pastruar imazhin e Shqipërisë, sepse personi në fjalë e ka pranuar që ka ndërhyrë për të dëmtuar opozitën në Shqipëri”, ka përfunduar Lita.

Latest articles

Related articles