Narrativa e ambasadori rus Afanasiev nuk përkon me realitetin faktik!

Ambasadori rus në Shqipëri SH.T.Z Mikhail Afanasiev dha një intervistë të enjten e 15 shtatorit për një portal vendas, duke sjellë edhe një herë në vëmendje makinerinë propagandistike ruse në mbrojtje të pushtimit që vendi i tij po i bën Ukrainës.
Ndërsa lufta ka karakter tashmë ndërkombëtar, ka cënuar arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe tenton të ndryshojë rendin ndërkombëtar, nga ai i bazuar në rregulla, në një tjetër ku më i forti mund të bëjë ç’të dojë me fqinjin – ta copëtojë, pushtojë apo t’i ndërrojë elitën qeverisëse – ajo e cila vlen të theksohet që në krye të herës është narrativa e përdorur nga imperializmi rus, njëjtë si shovinizmi serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Ndërsa serbët në Kosovë përdoren si mish për top për Beogradin, njëjtë edhe Rusia çon përpara narrativën e saj se rusët në Ukrainë u privuan nga çdo e drejtë, ndaj u bë e pashmangshme që të ndërhyhej ushtarakisht.
Është paksa e vështirë të besosh se vendi anëtar i Këshillit të Sigurimit, anëtar i thuajse gjithë organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtar, nuk kishte mundësi tjetër veç pushtimit të fqinjit për të siguruar popullsinë rusishtfolëse.
Për më tepër, diplomacia ruse njihet për mjeshtërinë e saj, por argumenti i përdorur në intervistë se, meqë presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski artikuloi marrëveshjen e Budapestit në fjalën e tij gjatë konferencës së Mynçenit, në shkurt të 2022-shit, kjo e bëri të pashmangshme dhënien e dritës jeshile për pushtim. Faktikisht, politika nuk bëhet me sikur. Nëse do të merrnim për bazë se tentativa për të sjellë në vëmendje garancinë për ç’armatimin bërthamor të Ukrainës duhet të jetë preteks për luftë, atëherë Lufta e Tretë Botërore duhej të kishte shpërthyer në krizën kubane të raketave të vitit të largët 1962. Ja që nuk bëhet politika dhe diplomacia me “sikur”.
Ndërsa ambasadori, me të drejtë, i lë derën hapur marrëdhënieve të mira me Shqipërinë, vend me të cilin kemi pasur aleancë gjatë periudhës së komunizmit, sërish thekson se në doktrinën e tyre të sigurisë, Rusia kërkon kthimin e NATO-s, pjesë e së cilës është anëtare edhe Shqipëria, siç ka qenë në vitin 1997. Marrëdhëniet e mira mund të ndërtohen mbi rregulla ndërkombëtare, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, sepse, në të kundërt, argumentet e përdorura nga Rusia për ndërhyrje në Ukrainë mund të përdoren për ndërhyrje ushtarake në Kosovë nga ana e Serbisë, duke krijuar një precendent të rrezikshëm për rajonin tonë.
Shqipëria është e angazhuar në instancat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, krahas aleatëve, për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë.
E ardhmja i përket kombeve sovrane me integritet të plotë territorial. Sikundër e tha presidenti rus Vladimir Putin në samitin në Vladivostok se ishte gabim ndërhyrja me tanke në Budapest dhe Pragë, nga ana e Bashkimit Sovjetik, urojmë që në të ardhmen liderët rusë që e duan demokracinë dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ta kuptojnë se sa e rëndësishme është të lësh pas ambiciet imperiale dhe retorikën sovjetike për të pushtuar dhe nëpërkëmbur vende sovrane!

Redaksia

Latest articles

Related articles