Pse abuzoni me Azem Hajdarin? – nga Indrit Vokshi

Komunizmin në Europë e rrëzuan ShBA-të. Në një luftë shumëdimensionale e me disa shkallë, “Kampi Kapitalist” i udhëhequr nga ShBA, mposhti “Kampin Socialist”. Ishte luftë e veçantë e cila do të shënohet në historinë e njerëzimit. Bashkimi Sovjetik u disintegrua. Kampi i Europës Lindore, ra.
Pasojat i dha edhe në Shqipëri.
Në Shqipëri, Ramiz Alia, student i Komsomolit në Moskë, dinte rregullat elementare të politikës, prandaj shkoi në Amerikë dhe firmosi dorëzimin e pushtetit si monopol vetëm i Partisë së Punës. Dorëzoi monopolin e pushtetit. I detyruar nga fitorja ndërkombëtare e ShBA.
Mirëpo duhej edhe përralla e brendshme, duhej gënjeshtra e bukur që tu jepej shqiptarëve. Inskenimi. Gënjeshtra nëpërmjet të cilës do të pilotoheshin ndryshimet apo mermetimet e sistemit. Nevojitej teatri. Dhe teatri është takimi i studentëve me Ramiz Alinë.
A dini ndonjë vend tjetër në botë ku fitorja mbi diktaturën të ketë ardhur prej takimit të studentëve me diktatorin? Rikthejuni dhe shikojeni me sy studimor takimin e Ramiz Alisë me studentët dhe do të kuptoni shumçka.
Studentët duartrokasin diktatorin. I betohen atij se nuk kanë si qëllim që të përdoren nga “e djathta reaksionare”. I bëjnë me dije se Zogu është satrap që ka shkatërruar Shqipërinë. Etj.
Diktatori u jep leje për të themeluar parti dhe i orienton t’i drejtohen ministrisë së drejtësisë? Jo po diktatori kishte kapitulluar…! Pse kishte kapitulluar?
Përralla se pushteti komunist u rrëzua nga mensat e studentëve, është tragjike për nga primitiviteti dhe komike kur e imagjinon. Me çfarë e rrëzuan komunizmin studentët nga mensat, me lugët e aluminit?
Shoqëritë primitive, ndërtojnë ksi njerëz-mite, iu mveshin atributet e vetitë që do të duhej t’i kishin, jo që i kishin.
Për studentët e armatosur me lugë alumini, komunizmi rrinte 500 vjet por të mos mposhtej nga Amerika në rrafsh ndërkombëtar. Nuk ishte faji i studentëve, as i Shqipërisë, pasi komunizmi ishte forcë madhore ndërkombëtare. Ata aq dinin, aq bënë, ashtu i ndikuan, ashtu u sollën. Mos harrojmë, ishin studentë të një vendi të izoluar.
Por sot, disa shqiptarë refuzojnë ta shohin politikën si realitet e racionalitet, preferojnë ta shohin brenda kuadratit të realizmit socialist, me heroizma e mitizime.
Po tua arsyetosh ndryshe, ata të quajnë ose naiv, ose armik, sepse po iu shkatërron përrallën që kanë ndërtuar për veten. Shqipëria, pra, ka hero të demokracisë por nuk ka demokraci.
Ata e dinë mirë se Azemi ishte politikan. Sa qe gjallë, disa nga këta që sot e nderojnë e akuzuan edhe si tradhëtar edhe si spiun të komunizmit. Në biseda private edhe këta vetë nuk e besojnë si hero. Por publikisht iu duhet.
Ndërsa i vdekur është hero i vlerave demokratike. Iu duhet i vdekur. Siç edhe vrasja e tij iu duhej si vrasje politike dhe, iu duhej që patjetër të ishte kryer nga Fatos Nano. Nuk pranonin motiv tjetër të vrasjes dhe as person tjetër si vrasës.
Realizmi Socialist Blu, funksionon mendërisht si Partia e Punës e cila edhe vrasjet private të partizanëve i shpallte vrasje në luftë me nazi-fashizmin. Jo se ashtu ishin por se ashtu i duheshin të ishin.
Në ketë rast nuk ka faj Azemi sepse ai spo bën asgjë të keqe. Kanë faj ata të cilët e përdorin dhe e shpërdorojnë vdekjen e tij, vetëm sepse Azemi iu duhet si personazh për përrallën e tyre me “vlera demokratike”.
Sundimi bizantin i partive shqiptare, synon të maskohet pas vlerave demokratike dhe pas busteve.

Latest articles

Related articles