Ruhuni nga logjika konspiracioniste! Ruhuni nga logjika “Alfred Çako”! Nesër do të jetë vonë

Nga Sebastian Zonja

Një dokumentar në Holandë, “Zembla”, ndër më të ndjekurit për çështje sociale dhe politike, tregonte se si mbi një e treta, 41 deputetë, nga 150 që ka Kuvendi, kishin kërkuar mbrojtje nga policia. Aryseja ishte se kërcënoheshin përditë në rrugë, në rrjete sociale dhe gjetkë. Njërit prej deputetëve i kishin hyrë në shtëpi; kryeministrin Rute e kishin kërcënuar me jetë; njërën prej ministreve e përndiqnin; deputetëve u shkruanin lloj lloj gjërash në rrjete sociale dhe email; një ministreje i kishin shkuar me pishtar përpara shtëpisë dhe se ç’këndonin…
Të gjitha këto, sipas ekspertëve, janë prej gjuhës së përdorur nga ekstremistët e djathtë, fashistët, në parlament.
Gjuha e përdorur dhe akuzat nuk kanë kufi, thonë ekspretët. Një ministre e cilësuan shtrigë publikisht. Deputetët e tjerë kundërshtarë i quajnë demonë. Liberalët i cilësojnë se kanë bërë pakt me djallin.
Ligjërimi vjen nga Amerika. Atje gjallojnë teoritë konspirative dhe furnizojnë krejt botën.
Gjithë ky ligjërim merret nga grupet e konspiracionit dhe përhapet nëpër rrjete sociale. Flitet për një elitë që komandon botën, që vret njerëz, që çfarë nuk bën … dhe rezultatet janë që kërcënohet çdokush me pak pushtet.
Kjo po ndodh në Holandë, ku problemet zgjidhen me polici. Ndërkohë, në Shqipëri dhe Kosovë, dita ditës shtohen ata që besojnë te teoritë e konspiracionit – që nisin me mohimin që u bën bota pellazgëve e deri te helmi që hidhet nga ajëri, siç thotë Çako dhe të ngjashmit me të.
Nëse nuk marrim masa sot, nuk do të jetë e largët dita kur të kërcas dajaku rrugëve nëpër Shqipëri, se nuk të mbron kush kur t’i shkosh politikanit apo biznesmenit në shtëpi me mendimin se ai është pjesë e komploteve botërore dhe t’i kërcënosh fëmijën, gruan, nënën a babën.
Le të marrim masa sot ndaj atyre që përhapin nëpër media teori konspirative, se nesër do të jetë shumë vonë.

Latest articles

Related articles