Basha, kryetar dhe drejtues i grupit parlamentar – Karabina: Ndoqëm modelin e CDU

Zëdhënësja e PD-së zyrtare Mirela Karabina tha në MCN Live se është zgjedhur modeli i CDU-së Merkel-it, ku kryetari i partisë është njëherësh kryetar i grupit parlamentar. Karabina tha se deputetët e grupit Bardhi duhet të ndihen të turpëruar që s’kanë mbajtur qëndrime politike. Po ashtu ajo vuri në dukje se ky grupim deputetësh duhet të shpjegojë pse ndryshoi qëndrim ndaj Berishës, dhe qëndrimeve euroatlantike të PD-së.

“Fatkeqësisht ishte shumë trishtuese ajo që pamë. Përsëri filloi me problemin e opozitës. Jemi dy ditë pas një ngjarje të rëndësishme që ka qenë një Kuvend i jashtëzakonshëm i PD, për t’i dhënë zgjidhje të kësaj situate. Pjesa që s’është bashkuar, është një fraksion dhe kërkon të bëjë këtë konfuzion. Kanë dëmtuar PD-në dhe të njëjtën gjë po e bëjnë sot. Ka ndodhur një Kuvend, është miratuar një statut. Njerëz me integritet profesional kanë ndryshuar nenet e statutit. Me statutin e ri kryetari i partisë është kryetar i grupit parlamentar. Ne kemi ndjekur modelin e CDU-së. Edhe zonja Merkel ka qenë edhe kryetare partie edhe kryetare grupi. E ka statuti, automatikisht ai kalon në kryetar të grupit parlamentar. Nuk ka grupime brenda PD-së. Foltoroja është një fraksion, ndërsa grupi i deputetëve të PD-së duhen të ndihen të turpëruar sepse nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim politik. Dhe duhet të sqarojnë pse kanë ndryshuar qëndrim ndaj asaj që ka sanksionuar SHBA-të. Kanë qenë këto deputetë që e kanë përjashtuar Sali Berishën. E dua nga këta, pse kanë ndryshuar qëndrim nga 18 dhjetori?! Tani unë po dyshoj, po transferohen votat e demokratëve, në kundërshtim me orientimin euroatlantik të PD-së?! Kjo që po bëjnë këto deputetët sot është një pengesë dhe rikthim pas dy vitesh në kundërshtim me orientimin euroatlantik të PD-së. Do doja deputetë që mbajnë qëndrim, deputetë që ikin si trupë amorfe kurrë mos ardhshin më!”, tha Karabina.

Latest articles

Related articles