PD, Edlira Devolli: T`u shtrijmë dorën për bashkëpunim qytetarëve

spot_img
Advertisements

Nga Edlira Devolli

I nderuar kryetari i PDSH z. Lulzim Basha!
Të nderuar deputet, koleg, motra e vëllezër demokrat qëndrestar!

Fjalën time sot dua ta filloj me termat Demokraci dhe Demokratizim.

Vendi ynë dhe Partia Demokratike po jetojnë një moment të veçantë dhe thelbësor për historinë dhe zhvillimin e tyre. Fati i vendit është i lidhur ngushtë me Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Pse?

Deri më tani, në sistemin pluralist, postkomunist të gjithë këmi qëndruar në agoninë e tranzicionit. Goditja që i është bërë shtetit ligjor, parimeve dhe vlerave kanë ndikuar drejtë për drejtë në pamundësinë e demokratizimit të vendit.

Realiteti i sotëm na përball me një vend ku zgjedhjet manipulohen, ku pushteti është një regjim mazhoritar me një shumicë deputetësh me vota të blera dhe të tjerë deputetë pa vota, bashkuar të parëve për interesa klienteliste.

Gjatë fushatës së 14 majit, duke trokitur në dyert e qytetarëve Durrsak, në një derë na del një zonjë e cila me përzemërsi e këmbëngulje na ftoi të hynim brenda në shtëpi. Dua ta falenderoj sërisht për fisnikërinë.

Ajo e kishte bashkëshortin në shtrat, i sëmurë, lëngonte. Zotëria kishte qenë i burgosur politik, i dënuar agjitacion e propagandë, dhe kishte dalë nga burgu në vitin 1991, 36 vjeç. Tashmë 68 vjeç.

Zoti u kishte falur 3 fëmijë. Dy të mëdhenjtë janë të larguar në emigrim- tha zonja- e vogla është në përfundim të vitit të parë universitet, por me mendjen për të ndjekur vëllain dhe motrën rrugëve të kurbetit. “Këtë vend e shohin pa shpresë të rinjtë”më tha!

Zotëria i sëmurë u përlot, mori frymë thellë dhe me trishtim tregoi dhimbjen e brendshme, dhimbjen e shpirtit. “Sa isha i ri”tha ai “vuajta burgjeve dhe nuk u çmalla me prindërit, tashmë do shoh fëmijët nga celulari”.

Nuk gëzova as prindërit e mi, as prindërimin tim. Ligji i famshëm i kësteve, nuk më dha kurrë qetësinë në rritjen e mundimshme të fëmijëve të mi. I rrita me rropatje e 1000 sakrifica. E tashmë mbarojnë studimet e marrin dhenë…

Miq, ëndrra jonë e para 33 viteve ka sot fytyrën e braktisjes së vendit. Vendi po braktiset nga të rinjtë, që janë e ardhmja. U ka humbur shpresa, sepse sistemi që është krijuar në këto 33 vite ka imazhin e të ligës.

Nuk vendos liria dhe merita, por pushteti, kush do të punojë e kush jo, kush të pasurohet e kush të varfërohet, kush të bëhet pjesë e dinastisë së elitave të pasura politike e kush të jetojë në varfërinë që thellohet.

Në eksperiencën dhe në vëzhgimet e mia si një aktiviste politike e terrenit, nga takimet me strukturat dhe qytetarët vërehet se ata presin të dëgjojnë nga ne të vërtetën e jetës së tyre, për t`u bindur se ne u`a dimë vërtet hallet dhe të gjejmë mekanizmin ku vota e tyre të ketë liri dhe të mos ndikohet.

Qytetarët duan garanci se cilido që punon e përpiqet do mund të fitoj më shumë dhe jo të largohet nga vendi. Se ne jemi kundër faktit që vetëm një pjesë e vogël të ketë gjendje të mirë ekonomike. Jemi në mbështetje të aftësisë dhe meritokracisë.

Koleg të nderuar, të mos mbetemi në rrethin vicioz cili do marr një post apo një tjetër. Kush donte përjetësinë në politikë doli në grupim pa emër.

Dalin disa dhe na kërkojnë bashkim…

Me kë?

Me një grup që ka marrë rrugën e antivlerave? Me një establishment totalisht të vjetër, pa kokë e pa busull?

Ai grupim ka vetëm një orjentim, ruajtjen e interesave personale të vetëm një personi të shpallur non grata.

Cili do që është kundër vlerave euro-atlantike, dhe që ditën shprehen pro e natën bëjnë pazaret për një mandat tjetër, nuk do munden kurrsesi të devijojnë vullnetin dhe objektivat e qëndrestarëve demokrat në këtë kohë. Qëndruam bashkë, pa interes vetëm me dëshirën për demokraci të vërtetë. Na bashkojnë vlerat dhe parimet.

Sot po ndezim motorët e rinj për të qenë alternativa e rrotacionit politik në zgjedhjet e ardhshme.

Dhe që alternativa jonë të përqafohet duhet të zbresim më shumë në terren, të takojmë qytetarët t`i ftojmë të bëhen pjesë e jona duke i siguruar dhe dëshmuar se ne jemi dhe do të mbetemi gjithmonë në respektim të ligjit, parimeve demokratike dhe vlerave sociale.

T`u shtrijmë dorën për bashkëpunim qytetarëve intelektual që vetë të kenë mundësi të bëhen alternativë dhe vendim-marrës për politika social ekonomike e më gjerë, se ne jemi të hapur për cilin do që dëshiron t`i bashkangjitet ekipit tonë për një të ardhme më të mirë të vendit dhe fëmijëve tanë.

Të dalim ç`do ditë në takime, ta fillojmë nga komuniteti ku bëjmë pjesë e të zgjerohemi pa frikë. Të jemi të gatshëm të mirëpresim ekspert nga të gjitha fushat.

Të ftojmë të përndjekurit politik që mbetën të përndjekur dhe pronarët që me metodat e aplikuara kërkuan t`i bëjnë ish pronar. Kam besimin se ç`do ditë do të shtohen radhët tona.

Historia na ka ngarkuar me misionin për t`i dhënë vendit shpresë për demokratizim të vërtetë dhe të ardhme euro-atlantike.

Faleminderit!

Latest articles

Related articles