Nxehen gjakrat mes Romës dhe Parisit | Akuza për vrasje masive

spot_img
Advertisements


Nga Sebastian Zonja

Ustikën në Itali, në Shqipëri, e njohim prej veprës së Petro Markos “Nata e Ustikës”. Së fundmi, një breshëri sulmesh nga nivelet më të larta politike në Itali ka nisur ndaj Parisit. Dy vendet evropiane nuk po gjejnë qetësi.
Mbrëmjen e 27 qershorit të vitit 1980, një aeroplan që udhëtonte nga Bolonja në Palermo, me 81 persona në bord, përfshirë 13 fëmijë, u rrëzua në det, pranë Ustikës. Të gjithë humbën jetën.
Këtë vit, në përkujtim të tragjedisë, Presidenti i Republikës së Italisë, Serxho Matarela, me rastin e 43-vjetorit të tragjedisë do të jepte këtë mesazh:
“Kur ndodhi tragjedia, një mantel errësoi rrethanat dhe përgjegjësitë për ngjarjen. Ishte e vështirë të hapeshin dyert për të marrë vesh të vërtetën e masakrës… e vërteta e plotë nuk ka dalë ende në dritë dhe kjo është plagë për qytetarët italianë”, tha presidenti.
Pak javë më vonë, gjatë një interviste për median italiane “La Repubblica”, ish-kryeministri italian Xhuliano Amato i bëri thirrje të drejtëpërdrejtë presidentit francez Emanuel Makron që ose ta përgënjeshtrojë ose ta konfirmojë pohimin e tij, se janë francezët që kanë bombarduar avionin italian.
Sipas Amatos, francezët kërkonin të bombardonin asokohe avionin që po udhëtonte lideri libian Muamar Gadafi. Ai po udhëtonte nga Italia, pasi kishte qenë më herët në një takim zyrtar në ish-Jugosllavi.
Pistat që janë hetuar mbi këtë ngjarje të rëndë, ku 81 italianë humbën jetën, janë:
1. Bombë në bordin e avionit
2. Avioni është goditur nga një raketë.
“Versioni më i besueshëm është ai i përgjegjësisë së forcave ajrore franceze për çka ndodhi atë mbrëmje të 27 qershorit, në bashkëpunim me amerikanët”, thotë Amato për mediet italiane.
“Në vitin 2000, kur isha kryeministër, u kam kërkuar presidentëve të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe Francës, Bill Klintonit dhe Zhak Shirakut, që të japin informacion mbi këtë tragjedi, por ka pasuar heshtje totale”, thotë ish-kryeministri.
Politika italiane ka reaguar njëzëri pas kësaj deklarate. Kryeministrja Xhorxha Meloni kërkoi nga Amato prova konkrete për të mbështetur pohimet e tij, që qeveria e saj ta ndjekë mëtej këtë çështje.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Mateo Salvini kërkoi koment nga Parisi:
“Xhuliano Amato ka bërë deklarata që duhet të merren shumë seriozisht. Është absolutisht e nevojshme të kuptohet nëse ka elementë konkretë në mbështetje të fjalëve të tij. Duke pasur parasysh peshën e deklaratave të Amatos dhe rolin e tij të rëndësishëm në kohën e ngjarjeve, presim komente nga autoritetet franceze”, tha Salvini.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani komentoi këto deklarata duke thënë se janë shumtë të rëndësishme por janë deklarata të një qytetari privat.
Ministria e Jashtme franceze ka reaguar duke thënë se Franca ka dhënë çdo provë në zotërim të saj sa herë që i është kërkuar.

Ndërkohë, ka pasur një gjyq të zhvilluar në Itali për këtë çështje dhe dyshimet ndaj francezëve nuk janë faktuar. Gjenerali italian Leonardo Trikariko i ka cilësuar gënjeshtra deklaratat e Xhuliano Amatos, të cilat nuk u vërtetuan dot në gjyq. Gjenerali Leonardo Trikariko ka qenë ish-shefi i Shtabit të Forcave Ajrore italiane dhe kryetar i Shoqatës për viktimat e katastrofës ajrore në Ustikë.
“Nuk e kuptoj se çfarë fshihet pas kësaj deklarate dhe pse sot?”, pyet gjenerali, duke aluduar se mund të jetë një strategji për të vënë në siklet kryeministren Xorxha Meloni me presidentin francez Emanuel Makron.

Vlen të sillet në vëmendje se lideri libian Moamar Gadafi u vra në luftën civile të Libisë që shpërtheu në vitin 2011. Edhe për këtë vrasje ka pasur akuza në mediet ndërkombëtare se qëndrojnë pas shërbimet franceze.

Latest articles

Related articles